Drejtësia

Kalon për gjykim dosja ndaj kryebashkiakut të Kuçovës, pranohet gjykimi i shkurtuar

Gazeta Si- Dosja ndaj kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Posaçme, i akuzuar për "falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Hajdari do të gjykohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar, që do të thotë se nëse shpallet fajtor do të përfitojë ulje me 1/3 e dënimit.

SPAK i mbylli hetimet dhe dorëzoi në gjykatë kërkesën për ta marrë Hajdarin të pandehur në dhjetor të vitit që lamë pas.

Kryebashkiaku i Kuçovës akuzohet për falsifikim të formularëve të dekriminalizimit, pasi referuar hetimeve nuk ka deklaruar në dy raste një dënim në shtetin grek.

SPAK thotë se autoritetet greke kanë konfirmuar se Hajdari është dënuar me masë riedukuese nga Gjykata e Janinës për kalim të paligjshëm të kufirit. Hajdari ka mohuar më herët akuzat duke pretenduar se nuk ka dijeni.

Në 23 qershor të vitit 1999, është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së parë të Janinës për hyrje në territorin grek pa leje. Atëherë, Kreshnik Hajdari ishte 17 vjeç dhe si i mitur iu vendos masa e riedukimit.

SPAK e mori të pandehur Kreshnik Hajdarin, ndwrsa ja komunikoi akuzën e falsifikimit të formularëve një ditë pasi KQZ nuk ja ndërpreu mandatin e kryebashkiakut.

Më pas u vendos që mandati i kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdarit, do të rishqyrtohet, pasi Kolegji i Ankimimeve dhe Sanksioneve pranoi ankimin e Lefter Maliqit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë