Lajme

Kaloi ilegalisht 7 turq, arrestohet policja në Rinas

Paraditen e sotme është arrestuar në flagrancë punonjësja e Policisë Kufitare në Rinas nën dyshimet për shpërdorim detyre dhe dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.

Dyshimet për implikimin e punonjëses së policisë Brunilda Duda, lindën pas kapjes së 7 shtetasve turq nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, teksa tentuan të kalojnë kufirin shqiptar drejt Malit të Zi, ku deklaruan se kishin hyrë nëpërmjet Rinasit në Shqipëri.

Drejtoria e Kufirit njoftoi për veprime të mëtejshme SHÇBA.

Nga hetimet e kryera rezultoi se këta shtetas janë lejuar të hyjnë në territor në mënyrë antiligjore nga punonjësja e policisë Duda, duke mos kryer regjistrimin në sistem.

Tashmë mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Hetimet po vijojnë të identifikojnë nëse ka persona të tjerë të përfshirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë