Politike

Kajmaku hedh poshtë akuzat: PD, limon i shtrydhur

Kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku preferoi që të reagonte nëpërmjet rrjeteve sociale në lidhje me akuzat e lëshuara nga Partia Demokratike, ku mbi bazën e një dokumenti, rezulton se ka qenë i akuzuar për falsikim parash në Greqi.
"Që pas marrjes së detyrës si kryetar i Bashkisë së Vorës, ata s’u përballën nga frika e humbjes së padiskutueshme, më janë vërsulur me tërbim! Por unë siguroj me bindje, në radhë të parë qytetarët e Vorës se i qëndroj pikë për pikë asaj që kam deklaruar edhe më herët lidhur për këtë sulm. Unë nuk jam marrë kurrë me trafiqe dhe krime. Kam qenë dhe jam punëtor e familjar. Kam punuar për të nxjerrë bukën e gojës në Shqipëri e në emigracion dhe emrin e kam ndryshuar si të gjithë shqiptarët, që të më jepej mundësia të rrija atje dhe të punoja", shkruan Kajmaku në Facebook.
Kryebashkiaku i Vorës gjithashtu bën të ditur se është në pritje që instituiconet e drejtësisë të thonë fjalën e tyre sa i përket akuzave të ngritura nga ana e opozitës.
"Partia Demokratike po merret me limona dhe me mandarina emigrantësh shqiptarë, të cilët halli i ka shtyrë të punojnë në një vend të huaj! Ata bëjnë sikur nuk e dinë se çfarë kanë hequr shqiptarët për të mbijetuar me emra e me mbiemra nga më të ndryshmit në Greqi. Në fakt PD është limoni i shtrydhur që s’i duhet më asnjeriu. Le ta thonë autoritetet fjalën e tyre dhe të na falin qytetarët për këtë shqetësim! Unë dua të siguroj qytetarët e Vorës se pavarësisht kësaj poshtërsie, jam dhe do të jem në çdo moment në krye të detyrës! Ju më besuat në 30 qershor për t’i ndryshuar faqen Vorës sonë dhe për ta vënë bashkinë në shërbim të qytetarëve", thekson Kajamaku.
Agim Kajmaku akuzohet se në vitin 2003 ka përdorur 4850 euro false gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, duke iu referuar Prokurorisë së shtetit fqinj deklaroi se për krimin e kryer Kajmaku, duhej të dënohej me 10 vite burg, por vendimi ndaj tij nuk u ekzekutua për shkak se ai u arratis nga shteti helen, kur autoritetet greke vendosen ta merrnin si të pandehur për falsifikim parash. Kjo është edhe arsyeja që sipas PD-së, Kajmaku e ndryshoi emrin në Jorgo Toto.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë