Lajme

Rama dhe Tsipras, “virtualisht” në varrimin e Kacifas

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, ka reaguar pas ceremonisë mortore të ekstremistit grek Kostandinos Kaçifas.

Në një intervistë në televizionin ”Alfa”, Tsipras tha se ajo që ndodhi në 28 tetor ishte një ngjarje e rëndë dhe se zemërimi i popullit minoritar të Bularatit është i justifikuar. Kreu i qeverisë greke shtoi se pala shqiptare i ka premtuar për zbardhjen e ngjarjes.

“Sot është një ditë zie për familjen Kacifa dhe minoritetin. Hidhërimi dhe zemërimi i tyre është i përligjur. Dhe nuk dua të debatoj për këtë. Greqia bëri që nga momenti i parë atë që duhej të bënte. Do të na jepet një raport i plotë për shkaqet e kësaj ngjarjeje shumë të padëshirueshme. Kjo ngjarje na ka bërë të harrojmë se në Bularat atë ditë kishim varrimin e eshtrave të heronjve tanë të rënë në Shqipëri, me praninë e Ministres greke të Kulturës. Duhet të avancojmë në hapa të tjerë, kështu që t’i jepen minoritetit në Shqipëri gjithë sa i takojnë”, – ka thënë Tsipras mes të tjerash.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas varrimit të ekstremistit grek Konstantinos Kaçifas, në Bularat të Gjirokastrës.

Rama i është përgjigjur një komentuesi në “Facebook”, i cili i kërkon Ramës që të ndërhyjë shteti shqiptar para provokimit të ekstremistëve grekë. Rama thotë se shteti shqiptar nuk lufton me arkëmorte dhe provokatorë varrimesh.

Reagimi në Facebook-un e Ramës

Komentuesi: Nderhy zoti Rama. Të lutem, sepse u fëlliqëm si shtet, vjen greku na provokon, tregoja vendin dhe tregoja vlerat tona si komb.

Përgjigja e Ramës: Vlera jone sot? Pikërisht ajo që disave këtu u duket gabimisht si dobësi. Shteti ynë s’lufton as me arkëmorte dhe as me provokatorë varrimesh. Kush erdhi për të provokuar, hyri, turpëroi veten e flamurin e tij dhe iku. Patriotizmi nuk është të urresh tjetrin e gjuhën e tij, po të duash vendin e gjuhën tënde. Dhe zotrote mos e përdor termin “greku”, se është po kaq e neveritshme sa kur të pagdhendurit në anën tjetër, thonë “shqiptari”! Minoriteti grek, njerëzit e mirë të minoritetit e të Bularatit, nuk janë “greku”, po janë qytetarë të respektuar e të pazëvendësueshëm të Shqiperisë.

E ti qe as emrin s’merret vesh si e ke, rri pa merak se Shqipëria nuk “flliqet” nga ca të pagdhendur, që jetojnë si hiena e këndojnë si korba! Janë qenie të mjera që përdhosin të vdekurin që medemek respektojnë dhe ulin dinjitetin e flamurit të kombit te tyre – një komb që i ka dhënë shumë njerëzimit; një popull që s’ka qenë e s’mund të jetë kurrë armiku ynë; një vend, ku shqiptarët kanë gjetur strehë, njësoj siç kane gjetur grekët strehë tek ne dhe që edhe ai, si çdo vend, ka taksiratin të ketë derrat e gomerët e vet.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë