Futboll

Ka një “Bylis” edhe në Spanjë, Liverpuli marshon në Angli

Shtyrja e “El Clasico”-os i ka dhënë një mundësi të artë Granadës për ta mbyllur javën e 10-të të La Ligës në krye të klasifikimit, me 20 pikë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Diego Martinez, e ngjitur këtë sezon në elitën e futbollit spanjoll, mundi 1-0 Betisin dhe është përpara të gjithëve. Në gjithë historinë e saj, kjo skuadër ka qenë vetëm një herë më parë në krye të kampionatit, më 30 shtator të 1973-shit, pas javës së 5-të. Këtë sezon Granada po i surprizon të gjithë, pak a shumë ashtu si Bylisi ynë, që vjen nga Kategoria e Parë dhe kryeson Superioren pas 10 javësh.

Granada ka regjistruar në fushën e saj katër fitore dhe të gjitha pa pësuar gol. Nuk ndodhte kjo gjë që prej vitit 1969. Klubi ka si pronar grupin kinez “Desport”, që ia ka blerë familjes Poco në vitin 2016 për 37 milionë euro. Fillimi është i jashtëzakonshëm dhe duket vërtet e çuditshme ta shohësh Granadën në renditje sipër Barcelonës dhe Real Madridit.

Henderson dhe Salah, autorët e golave për Liverpulin ndaj Totenhemit. Gazeta Si, 28 tetor 2019

Në Angli vazhdon e njëjta histori. Liverpuli nuk toleron, edhe pse këtë herë u duk se Totenhemi do t’i prishte punë. Diferenca e pikëve me Mançester Sitin mbetet 6 pikë. Kapiteni i Totenhemit, Herri Kejn, shënoi pas 48 sekondash një gol me shumë fat. Topin e kthyer nga traversa, pas gjuajtjes së Son dhe devijimit të Lovren, ai e dërgoi në rrjetë. Pritjet e Gazanigës mbajtën në lojë Totenhemin deri në minutën e 52-të, kur Henderson barazoi. Mane fitoi një penallti në minutën e 75-të dhe Salah e shndërroi në gol. Skuadra e trajnerit Klop është e vendosur për të fituar titullin këtë herë dhe jo vetëm synon ta ruajë diferencën me Sitin, por edhe ta thellojë më tej atë.

Në kampionatet e tjera vlen të përmenden barazimet e dy kryesuesve në Itali. Juventusi nuk fitoi në fushën e Leçes, por mbeti në krye me 23 pikë, sepse edhe Interi barazoi, madje në fushën e tij, ku u ndal nga Parma e Dermakut 2-2. Një shans i shpërdoruar nga zikaltërit. Në Gjermani udhëheq Borusia Mënshegladbah me 19 pikë, 1 pikë para Bajern Mynih, që në fundjavë mundi 2-1 Union Berlinin. Në Francë nuk ka histori, pasi PSG-ja është e shkëputur shumë nga të tjerët. Dje në mbrëmje mundi 4-0 Olimpik Marsejën dhe tashmë ka 27 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë