Mode

Ka ende shpresë për markat luksoze

Ndërsa shumë vende europiane njoftuan kufizime të reja të koronavirusit në fund të 2020, 100 marka çantash u dyndën në Milano për të shfaqur koleksionet e tyre të reja në panairin ndërkombëtar të produkteve të lëkurës në Itali, të quajtut "Mipel". Panairi dërgoi një mesazh të qartë nga industria luksoze e modës në Itali: "Ne jemi të hapur për biznes". Kur Italia u bë epiqendra e pandemisë në shkurt, industrisë së veshjeve luksoze iu dha një goditje e ashpër. Fabrikat dhe punëtorët u detyruan të mbyllen dhe markat mbetën me mungesë të materialit, porosive dhe stafit.
Sektori i modës në Itali është një industri prej 90 miliardë eurosh, e cila përbën 40% të prodhimit botëror luksoz dhe punëson pothuajse gjysmë milioni njerëz. Në të gjithë botën, pandemia mund t'i kushtojë tregut luksoz deri në 100 miliardë dollarë , sipas Grupit të Konsultimit të Bostonit.
Por pas muajsh trazirash dhe humbjesh ekonomike, markat luksoze italiane më në fund kanë filluar të ringjallin bizneset e tyre. "Pavarësisht kushteve shumë të vështira, 100 marka iu kthyen Mipel këtë vit, duke përbërë rreth një të tretën e kontigjentit të zakonshëm," thotë Franco Gabbrielli, shefi ekzekutiv i Mipel.
"Ishte shumë e rëndësishme të bëjmë këtë vit panairin sepse dëshironim t'i tregonim botës se jemi këtu", thotë Gabbrielli.
Edhe pse markat, të mëdha dhe të vogla, përshtatën me sukses modelet e tyre të biznesit për të mbijetuar gjatë pandemisë, shumë artizanë kanë frikë nga izolimet e mëtejshme.
"Viti i ardhshëm do të jetë shumë i vështirë," thotë Gabbrielli.
Gjatë izolimit të parë, “shumë kompani tashmë kishin porosi në dorë. Tani ata nuk kanë porosi të reja për dimrin.”

Një fabrikë që krijon copat e çantave në Toskana

Italia është eksportuesi më i madh i çantave të lëkurës në Europë, duke shitur 6.3 miliardë € çanta vitin e kaluar, sipas Mipel.
Izolimi i parë i Italisë bëri që qarkullimi i industrisë së artikujve prej lëkure të bjerë me rreth 43% dhe vlera totale e mallrave të eksportuara të bjerë me 31% në gjysmën e parë të vitit 2020, sipas studimit të kryer nga Assopellettieri, një shoqatë Italiane që merret me mallrat e lëkurës në Itali.
Bizneset e vogla janë thembra e Akilit e industrisë. Shumë marka globale, përfshirë Prada dhe Gucci, mbështeten tek artizanët në Firence për të prodhuar koleksionet e tyre. Nëse këto biznese të vogla nuk i mbijetojnë pandemisë, "mjeshtëria artizanale që është rezultat i përsosmërisë dhe aftësive të përcjella nëpër breza, dhe burimi i 'Made in Italy' mund të humbasë përgjithmonë", paralajmëroi një raport nga "McKinsey". Çantat italiane janë me famë botërore për mjeshtërinë e tyre dhe dizajnin autentik, të porositur.
“Produkti italian ka qenë gjithmonë më i miri përsa i përket artikujve prej lëkure. Të gjitha çantat kanë diçka ndryshe ”, thotë Gabbrielli.
Shumë marka u mbështetën në apelin global të mallrave luksoze "Made in Italy" për të përballuar stuhinë e koronavirusit.
"Klientët u janë drejtuar markave që përfaqësojnë vlera dhe janë një investim i sigurt", thotë Mireia Lopez Montoya, drejtoresha e artikujve prej lëkure dhe aksesorëve në markën luksoze Bulgari.
Bulgari nisi koleksionin e saj të produkteve të lëkurës dhe aksesorëve sipas planit, pavarësisht nga vështirësitë për të siguruar materiale gjatë izolimit të Italisë. Montoya thotë se izolimi nuk ishte katastrofik për Bulgari pasi koleksionet e çantave të dorës normalisht prodhohen tetë muaj më parë dhe drejtohen më pak nga trendi sesa moda, e cila i dha kohë kompanisë të përshtatet.
"Ne nuk kemi të njëjtën sezonalitet si moda. Modelet tona janë të përjetshme, ato nuk plaken ”, thotë ajo.

Në fabrikën e Bulgari

Tregu europian i Bulgari ka pësuar më së shumti pasi një pjesë e madhe e shitjeve vjen nga turizmi, thotë Montoya. Kur Europa u mbyll, Bulgari mbylli shumë dyqane të saj në aeroport, të cilat janë burime të rëndësishme të të ardhurave për kompaninë.

Ndërsa shitjet ranë ndjeshëm në Europë, çantat italiane u blenë pafund në Kinë.
"Aty çantat vërtet fluturojnë", thotë Montoya.
“Kinezët kanë oreks për mallra luksoze. Ato po blejnë më shumë si rezultat i mos udhëtimit tani dhe të pasur më shumë para ”.

Kinezët në një dyqan ku shiten çanta luksoze

Luca Solca, një analist i mallrave luksoze në firmës kërkimore 'Bernstein', thotë se nuk është për t'u habitur që tregu kinez ishte i pari që tërhoqi vemendjen, pasi u hoqën izolimet atje muaj përpara atyre në Europë.
Gjatë verës, kërkesa për luks ka qenë në rritje pasi njerëzit kishin më shumë kursime.
Fabio dhe Giorgia Gaeta, themeluesit e markës së çantave të dorës 'Studio Sarta' ishin të befasuar kur shitjet e tyre u rritën me 50% gjatë verës. Themeluar në vitin 2017, Studio Sarta në Palermo krijon çanta elegante, bashkëkohore të bëra nga materiali i palmës dhe lëkurës italiane.
“Është një histori e çuditshme. Ne prisnim që shitjet tona të ulen gjatë izolimit por njerëzit nuk ndaluan së bleri në internet dhe shitjet tona u rritën" thotë Fabio.
"Gjatë verës njerëzit blenë të gjithë produktet tona brenda tre javësh."
Kompania gjithmonë ka shitur produktet e saj në internet, direkt tek klientët në të gjithë botën.
“Nëntëdhjetë përqind e shitjeve tona bëhen përmes internetit çka dhe ndihmoi në shitjet gjatë izolimit." tha Giorgia.
Instagrami qëndron në zemër të strategjisë së marketingut të Studio Sarta. Faqja e kompanisë në Instagram përmban modele që mbajnë çanta ndërsa enden nëpër fshatrat e Italisë.
"Në maj kemi pasur një publicitet nga një blogere dhe ishte e pabesueshme pasi një foto e një blogerje mund të shesë 100 çanta në tre ditë", thotë Fabio.
Markat luksoze kanë qenë të ngadalta për të përqafuar tregtinë online në të kaluarën për shkak të ngurrimit midis konsumatorëve për të blerë produkte të shtrenjta dhe të nivelit të lartë në internet. Por pandemia ka përshpejtuar zhvendosjen e industrisë online. Bulgari është munduar të jetë i pranishëm në rrjetet sociale që në verë por shumë artizanë e kanë të vështirë këtë.

“Investimi për të filluar tregtinë online është i shtrenjtë. Në shumë kompani të vogla pronarët janë mjaft të moshuar dhe nuk janë mësuar të punojnë me teknologji” thotë Gabbrielli.
Sipas Studio Sarta, ia vlen të investosh.
"Me internet ju mund të prodhoni produkte me cilësi të lartë në vend dhe të shisni në të gjithë botën. Ishte mjaft e lehtë për ne të mbijetonim në këtë periudhë," thotë Fabio.

Burimi: BBC. Përktheu: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë