Libra

Ka dy mënyra leximi, por njëra është e padobishme

Homeri, Shekspiri, Volteri, Floberi, Tolstoi, Ulfi, Hemingueji – këta janë emra pa trupa.  Nuk mund t’u flasim, as t’i prekim, por mendimet e tyre janë përjetësuar përmes fjalës së shkruar.

Logjika e Aristotelit, astronomia e Keplerit, fizika e Njutonit, biologjia e Darvinit, filozofia e Vitgenshtejnit –këta janë memorie pa zanafillës të gjallë. Ata nuk i mbrojnë më idetë e tyre e megjithatë, sërish u flasim.

Pa librat, njerëzit nuk do u ishin arratisur kurrë kufijve të kohës dhe të hapësirës. Çdo brez i ri do të duhej t’i mësonte vetë  realitetet e jetës; në vend që të kishte luksin e ndërtuar në të kaluarën, grumbullimi i njohurive do të ishte zbehur shpejt, drejt një asimtote.

Gjithçka që vlerësojmë në botën moderne i ka rrënjët në shpikjen e shkrimit. Gjithçka që kemi arritur ka ardhur nga leximi. Edhe për një nivel individual, një nga mënyrat më efektive e të mësuarit rreth botës është të zhytësh këmbët në dijen e së shkuarës. Në vend që të kalonit jetën duke zbuluar sesi funksionon mendja, mund të kërkoni përvojën e dikujt që e njeh. Në vend të bëni deduksione të ligjeve të natyrës vetë, mundet thjesht t’u referoheni një vepre ekzistuese.

Por edhe përtej kësaj, leximi është gëzim. Është një emocion i rritjes, është një rreze frymëzimi dhe burim lidhjeje. Ne jemi pasqyrimi i mënyrës sesi e kalojmë kohën dhe bëhemi ata ç’ka konsumojmë. Merr kuptim vetëm atëherë kur ajo çka lexojmë na bën me dije rreth mënyrës sesi e shohim botën.

Thënë këtë,  ka më shumë për të lexuar sesa thjesht fjalët pëshpëritëse në mendjet tona. Ka të bëjë me botëkuptimin gjithashtu.  Mënyra si lexoni luan një rol të madh në atë ç’ka merrni me vete. I jep formë asaj, së cilës i kushtoni vëmendje dhe mënyrës si zhvilloheni. Për fat të keq, mendoj se kjo pjesë e ekuacionit shpesh neglizhohet.

A ka të bëjë me të drejtën dhe të gabuarën?

Shumë prej nesh mësojnë të lexojnë në shkollë, dhe kur e bëjmë, është për një apo dy arsye: për të mbajtur mend apo kritikuar – të dyja me qëllimin për të zgjedhur të drejtën apo të  gabuarën.

Kur mësojmë përmendësh një tekst libri, qëllimi është kryesisht për të marrë nota të mira në provime. Edhe nëse nuk e mësojmë fjalë për fjalë, qëllimi është ende përthithja e  të gjithë detajeve në një fushë të caktuar, që të shkruajmë një provim. Gjithçka jashtë asaj, ka pak kuptim për rezultatin e fundit.

Ngjashëm, kur kritikojmë diçka, le të themi, një vepër letrare apo një vendim historik, qëllimi është të vendosim dallimin mes asaj që është e drejtë dhe e gabuar dhe, duhet të sigurohemi se gjithçka që lexojmë futet në një sirtar të paracaktuar, në mënyrë që të kemi një raft të fortë.

Kush e thotë se ajo që hamendësoni të jetë e drejtë apo e gabuar, është në fakt një paragjykim aktual, të cilin një ditë do e shihni ndryshe?

Kjo funksionon në shkolla, por për fat të keq, kur lexon në botën e vërtetë,  ky lloj botëkuptimi na tradhton në njohuri. Njoh njerëz që kanë kaluar përmes këtij procesi, janë joshur nga ai dhe më pas kanë ndier se nuk mbajnë mend ato që kanë lexuar, se kanë humbur kohën, gjë që i shkurajon për lexime të mëtejshme.

Njoh gjithashtu njerëz – dhe këta janë me bollëk në internet – që lexojnë vetëm përmes lenteve kritike. Janë aq të qëllimshëm për të gjetur çdo gabim të vogël sa humbasin këndvështrimin më të gjerë. Ata shkarkojnë gjithçka,  që nuk u shkon sipas linjës me modelin e tyre ekzistues të realitetit dhe,  harrojnë t’i kushtojnë vëmendje asaj çka shtrihet përtej së zezës dhe së bardhës. Fokusi për të përthithur atë që ju nevojitet është i rëndësishëm dhe po kështu është pasja e një filtri, në vend të pikasjes në atë çka po lexon, çfarë është e gabuar.

Thënë këtë, sa herë që lexoni diçka me paramendimin se jeni aty për të nxjerrë çfarë është e drejtë e çfarë e gabuar, po e kufizoni veten  duke marrë vetëm një pjesë të caktuar të shkrimit dhe po humbisni tablonë e gjerë. Po zvogëloni një përvojë që ka shumë dimensione.Një nga gjërat që bëhet shumë e qartë për këdo që lexon është se, nëse do të lexoni vetëm libra me të cilët jeni dakord njëqind përqind apo ata që ia vlejnë t’i mbani mend plotësisht, do të mbeteni shpejt pa opsione. Leximi nuk ka të bëjë me hedhjen nëpër hollësi. Ka të bëjë me përfshirjen e një perspektive.

Kënaqësia e vërtetë e leximit

Ku është perspektiva, atëherë? Nëse nuk duhet të mbajmë mend çfarë konsumojmë, as të mbajmë syzet e kritikës, ku qëndron vërtet vlera e leximit? Për t’iu përgjigjur kësaj, duhet të shqyrtojmë se përse lexojmë, fillimisht dhe ajo arsye është në fakt shumë e thjeshtë – lexojmë për të kuptuar. Mund të jeni duke lexuar një komedi të ditëve të sotme apo një klasik rus. Mund të shkoni drejt një vëllimi të fundit të psikologjisë popullore apo ditarit të një perandori romak. Sido të jetë, po përpiqeni ta vendosni veten në një  formë të ndryshme të realitetit,  në mënyrë që të përthithni pak nga ajo çka shkrimi po ju tregon. Në këtë rast, filtri i vetëm që ia vlen të keni është ai që bën dallimin mes asaj që është e rëndësishme dhe asaj që nuk është.

Kur filtroni me çfarë është e  drejtë apo  e gabuar, jo vetëm se po përpiqeni ta pikturoni të gjithën me përbërës më të vegjël sesa pjesët e saj, por gjithashtu po kufizoni atë që kuptoni. Kush e thotë se nuk ka një mësim për t’u nxjerrë nga ajo që është e gabuar? Apo çfarë është më e rëndësishme;  kush e thotë se ajo që hamendësoni të jetë e drejtë apo e gabuar, është në fakt një paragjykim aktual, të cilin një ditë do e shihni ndryshe?

Sa herë kam rilexuar një libër që ka qenë i rëndësishëm për mua në të shkuarën, gjithnjë kam dalë me mësime të reja. Pjesa më e madhe e librave kanë brenda më shumë sesa një ide dhe thonë gjëra të ndryshme, në vende të ndryshëm.

Leximi është telepati dhe libri është teknologjia më e fuqishme, e shpikur ndonjëherë.

Mund të llogaris shumë çaste ku kam shpërfillur në mënyrë arrogante diçka që kam menduar se e kam ditur apo që nuk bënte kuptim për mua, apo e kam gjykuar para kohe – duke marrë me mend dijen e së drejtës dhe të gabuarës –vetëm  për të mësuar,  me një mendësi tjetër dhe një këndvështrim më të mprehtë dhe më të larmishëm, se ajo përmbante dije të thella.

Pyetjet më të mira për t’u bërë janë gjithmonë: Çfarë është e drejtë rreth kësaj? Edhe nëse nuk është ajo që besoj apo vlerësoj apo e shoh si të vërtetë, përse dikush tjetër beson tek ajo? Kuptimi i leximit nuk është mbajtja mend dhe, me siguri,  nuk është kritika. Është të përthithësh dhe filtrosh me mendje të hapur – të gjesh të duhurën në kohën e duhur, në mënyrë që të përmirësosh dhe përditësosh modelin ekzistues të realitetit në vend që të përpunosh gjithçka që lexon në mënyrë që të hyjë aty, siç është.

E bukura e kësaj mendësie është se nuk keni nevojë ta filtroni vetëdijshëm, Ju duhet thjesht të mendoni se nuk ka asgjë të keqe në të mos rënit dakord dhe është në rregull të shqyrtoni atë që nuk bën kuptim. Nga këtu, mendja do të filtrojë automatikisht atë që është e rëndësishme dhe atë që nuk është.  Atë që ka rëndësi, do e dini – do ju ndryshojë në atë mënyrë që mbajtja mend nuk e bën dot.

Arratisja

Leximi nuk është thjesht një hobi i këndshëm. Kur bëhet mirë, është gjithashtu një virtyt.  Të mëson më shumë sesa si të jetosh dhe çfarë të bësh; të mëson si të shohësh. Duke u zhytur në mendjet e disa prej mendimtarëve dhe rrëfimtarëve më të mëdhenj, ju lëviz nëpër sfera të realitetit, që në raste të tjera, do të kishin mbetur të panjohura për  ju. Shpesh e mbarojmë një libër me një palë sy të rinj dhe mund t’i përdorim ata sy për të krijuar botë më të mirë rreth nesh, nëse zgjedhim ta bëjmë.

Thënë këtë, që një libër të ketë këtë efekt, duhet të bëjmë edhe pjesën tonë. Nëse i qasemi me mendësinë e duhur dhe e kemi vendosur veten në një gjendje ndijore,  që e pranon  akordimin e vetes. Në të kundërt me atë çka shumë prej nesh mësojnë apo lexojnë, procesi nuk është i kufizuar vetëm në dy dimensione të nxjerrjes të së drejtës dhe së gabuarës. Dhe sa herë i qasemi me këtë mendësi, e  tradhtojmë veten prej asaj leneteje më të larmishme të të kuptuarit: kufizojmë ruajtjen. Çdo fjalë, çdo fjali, çdo paragraf i një vepre të mirë ka potencialin për të na mësuar diçka.

Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të jeni përzgjedhës në atë çka lexoni apo se nuk mund të hiqni dorë nga diçka,  që nuk ju flet. Por,  që diçka t’ju shkundë, duhet të jeni gati të shkundeni. Nëse shkoni me një mendje të hapur, do të largoheni duke marrë diçka me vete. Nëse filtroni për rëndësinë dhe kuptimin, kjo është ajo që do të gjeni dhe pikërisht atëherë do të mbërtheni vërtet kënaqësinë e formës së shkruar. Apo siç thotë  autori George R.R. Martin tek  Një valle me dragonjtë:“Një lexues jeton  mijëra jetë para se të vdesë, tha Jojeni. Njeriu që nuk lexon kurrë, jeton vetëm një.”

*Zat Rana/ Quartz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë