Gjithçka e lehtë për Juventusin në çerkefinalen e Kupës së Italisë. Bardhezinjtë kanë mundur 3-1 Romën dhe kanë kaluar në gjysmëfinale, ku do të ndeshen me fituesin e çiftit Milan-Torino. Kampionët në fuqi të Italisë, pasi kanë nisur shkëputjen në kampionat, kanë bërë detyrën edhe në Kupë, duke mos neglizhuar aspak.
Ka mjaftuar një pjesë loje për Juventusin, që në 45 minutat e para shënoi tre gola me ana të Kristiano Ronaldoas, Bentakur dhe Bonuçit. Autogoli i Bufonit me fillimin e pjesës së dytë nuk e rifuti Romën në lojë. Paraqitja e saj në këtë ndeshje ishte shumë e dobët dhe për skuadrën e Sarrit ishte shumë e lehtë ta menaxhonte rezultatin. Përveç të zakonshmit Kristiano Ronaldo, ra në sy loja e mirë e mesfushorit Bentakur, i cili ishte lojtari i ndeshjes.
Trajneri Mauricio Sarri kurseu në këtë ndeshje disa nga titullarët, si Paulo Dibala, Matuidi, De Ligt apo Kuadrado, duke i dhënë hapësirë Ruganit në mbrojtje, Rabiot në mesfushë dhe Douglas Kostës në sulm. Në gjysmëfinale Juventusi do të ndeshet me fituesin e çiftit Milan-Torino.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.