Futboll

Juventusi vizitë ‘blic’ në Londër, jo vetëm Lukaku në tavolinën e merkatos

Gazeta Si – Juventusi ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, natën mes të mërkurës dhe të enjtes luan miqësoren e fundit ndaj Real Madrid, por drejtuesit e tij janë kthyer. Kristiano Xhuntoli, drejtori sportiv i bardhezinjve është në Itali aktualisht dhe pritet të bëjë një vizitë blic në Londër.

Natyrisht, objektivi kryesor i tij është një takim me përfaqësues të Çelsit për sulmuesin Romelu Lukaku. Por jo vetëm Lukaku, në plane është edhe një takim me drejtuesit e Leiçesterit për një tjetër belg, Timoti Kastanje.

Romelu Lukaku duket se eshte joshur nga Juventusi. Gazeta Si, 29 korrik 2023

Për çështjen e sulmuesit të Çelsit nuk ka të reja për momentin. Blutë duan ta sistemojnë atë sa më parë dhe kërkojnë 40 milionë euro. Me të këtë shifër Juventusi është dakord, por që nuk mund ta investojë përpara se të shesë Dushan Vlahoviç. Për të shkuar te shitja e serbit duhet ai efekti domino i sulmuesve, që prej javësh është në ajër dhe nuk po zhbllokohet. Lëvizjet e para që priten janë Mbape te Reali dhe Kejn te Bajerni.

Kastanje nuk është një emër i ri për Juventusin, trajnerit Alegri i pëlqen të kompletojë ekipin me lojtarët anësorë. Belgu do ta kishte më të lehtë të përshtatej, pasi ka luajtur 3 vjet me Atalantën. Leiçesteri kërkon 15 milionë euro, ndërkohë alternativë për Juven është Holm i Specias.

Në anën tjetër, te klubi bardhezi ka shumë punë edhe për shitjet. Xhuntoli në Londër mund të takojë përfaqësuesit e Uest Hemit, një nga skuadrat që duan Denis Zakarian. Objektivi është për një marrëveshje për 20 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë