Futboll

Juventusi nxjerr 3 lojtarë në shitje për Pogba, Raiola e shtyn drejt Realit

Para se të investojë në merkato, ku objektivi kryesor është një mesfushor kalibri, Juventusi duhet të shesë. Drejtuesit e klubit bardhezi kanë bërë të ditur se do të marrin në konsideratë ofertat për tre lojtarë të organikës aktuale: Miralem Pjaniç, Douglas Kosta dhe Bernardeski. Të tre këta lojtarë janë në shitje dhe me të ardhurat e mundshme nga shitja e tyre, Juventusi do të siguronte paratë për blerjen e Pol Pogba, aq shumë i dëshiruar në ambientin bardhezi.

Situata aktuale e bën edhe merkaton e verës pak të çuditshme, pasi parashikohet një krizë ekonomike, megjithatë Juventusi duket i vendosur për realizmin e projektit të nisur me ardhjen e Kristiano Ronaldos. Tani gjithçka duket e fokusuar te mesfushori francez, por problemi është se në mes qëndron edhe Real Madrid. Respekti për fanellën e Juventusit është, Pogba nuk e harron kurrë të kaluarën, sepse ajo fanellë e ka lançuar në futbollin e madh kur ishte shumë i ri, por asgjë nuk mund të merret e sigurt.

Raiola dhe Pogba, kur luante me Juventusin. Gazeta Si, 6 prill 2020

Futbollisti francez duket se i ka dhënë siguri trajnerit Zidan se prioriteti i tij është Reali. Edhe lëvizjet e agjentit të Pogba, italianit Mino Raiola, të çojnë në Spanjë, ku ka pasur takime me drejtuesit madrilenë. Kriza nga emergjenca e koronavirusit i ka ndryshuar strategjitë e shumë klubeve, por rinovimi i Pogba me Mançester Junajtid është i pamundur në këtë moment. Klubi anglez madje rrezikon ta humbë mesfushorin me parametra zero në vitin 2021.

Kuotat e merkatos janë ulur dhe operacioni për blerjen e Pogba mund të kapë shifrën e 100 milionë eurove, një shifër që Reali është gati ta shpenzojë për të kënaqur trajnerin Zidan, vetë lojtarin, si dhe agjentin Mino Raiola. Ndoshta në këtë rast do të jepte miratimin edhe Juventusi, sepse dëshiron të ruajë marrëdhëniet e mira me agjentin e njohur, për të bërë të mundur më pas afrimin e portierit të Milanit, Xhixho Donaruma. Këtij të fundi i skadon kontrata pas një viti dhe Raiola mund t’ia bëjë “dhuratë” Juventusit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë