Futboll

Juventusi nuk i ka shlyer 3.7 milionë euro, Paulo Dibala gati ta çojë në gjyq

Gazeta Si – Nuk janë 19.9 milionët që i duhen dhënë Kristiano Ronaldos, por janë para që i takojnë dhe Paulo Dibala i kërkon. "Nuk e mbaj mend kur më është dhënë paga e fundit, por e di mirë që Juventusi nuk më ka likuiduar".

Janë fjalët e Dibalës, i cili ka dëshmuar në Romë për një orë e çerek, më 21 shkurt, në kuadrin e hetimit Prisma për bilancin e Juventusit nga 2019-a në 2021-shin. Për këtë është kërkuar rihapja e gjykimit për 12 persona (mes tyre edhe ish-presidenti Andrea Anjeli) si dhe klubit bardhezi, që ka pasur informacion për faktet.

Paulo Dibala. Gazeta Si, 3 mars 2023

Në rastin e Dibalës bëhet fjalë për sezonin e dytë (2020-21) dhe 3.7 milionë që ai nuk i ka marrë ende nga pagat e prapambetura. "Kur arritëm akordin për spostimin e pagave, e dinim që pagat e prapambetura do të jepeshin si shtesë në ato pasardhëse të kontratës. Nëse do të ikja nga ekipi, duhej të më paguanin menjëherë.

E di që në prill Juventusi ka mundësinë e fundit për të paguar ato 3 milionë. Në rast të kundërt, avokati im do ta ndjekë çështjen në gjykatë. Dua paratë që më takojnë pa shkuar puna në gjyq, dua të evitoj problemet për mua dhe Juventusin", - është shprehur Dibala.

Përfaqësuesi ligjor i lojtarit, Luka Ferrari, ka qenë në Prokurorinë e Torinos të martën. Ai duket se ka avancuar me kërkesën e dëmshpërblimit për rinovimin e munguar me argjentinasin, i joshur me një kontratë 8 milionë euro dhe bonuse e më pas i skarcuar.

"Unë nuk kam kërkuar këtë, - ka thënë Dibala, - por vetëm pagat e prapambetura". Nga dokumentet e hetimit rezulton se 3.7 milionë të Dibalës janë futur në bilancin 2021-22, ndryshe nga pagat e prapambetura të CR7, që nuk figurojnë në bilanc.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë