Futboll

Juventusi nuk heq dorë nga Ikardi, i propozon PSG-së Aleks Sandron

Juventusi nuk heq dorë nga Mauro Ikardi. Sipas “Tuttosport”, drejtuesit e klubit bardhezi duan ta marrin në ekip sulmuesin argjentinas edhe nëse PSG-ja vendos për blerjen e tij nga Interi në fund të sezonit.

Ikardi është huazuar nga Interi te klubi parisien, që deri tani nuk është i vendosur se çfarë do të bëjë me sulmuesin, pasi e ka të drejtën e blerjes. Ecuria e lojtarit ka qenë relativisht e mirë me fanellën e PSG-së. Ndoshta drejtuesit e saj nuk duan të shpenzojnë shumë për sulmin në verë, duke qenë se kanë Kilian Mbape, Nejmar dhe Kavanin, por ndonjë nga këta mund të largohet.

Mauro Ikardi, sulmuesi i PSG-së. Gazeta Si, 9 prill 2020

Situatën e kanë ndjekur me vëmendje drejtuesit e Juventusit, të cilët kanë një plan konkret për ta veshur Ikardin bardhezi sezonin e ardhshëm. Juventusi do t’i propozojë PSG-së mbrojtësin e majtë Aleks Sandro, i cili prej kohësh i intereson klubit francez. Lojtari brazilian i krahut do të përfshihej në bisedimet për Ikardin, duke ulur vlerën që bardhezinjtë duhet të paguajnë për argjentinasin. Për të zëvendësuar Aleks Sandron, drejtuesit e Juventusit kanë llogaritur Emerson Palmierin.

Drejtuesit e Juventusit e shohin Mauro Ikardin si sulmuesin e duhur për të ardhmen. Interesimi i tyre nisi që kur Interi vendosi për largimin e argjentinasit, por ishte PSG-ja që e bëri të vetin atë. Gonzalo Higuain dhe Kristiano Ronaldo janë të dy në moshë të madhe dhe sulmi bardhezi ka nevojë për një “bomber” të ri, që klubi aktualisht e sheh tek Ikardi. Por kujdes, sepse mund të ketë edhe ndonjë surprizë nga Spanja për këtë lojtar, ku Reali mund të punojë në fshehtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë