Pa Kristiano Ronaldon, Juventusi është ndalur në fushën e Leçes, ku ka barazuar 1-1. Paulo Dibala këtë herë nuk ka mjaftuar. Argjentinasi zhbllokoi rezultatin në pjesën e dytë me penallti, por vetëm pas 6 minutash Mankosu barazoi shifrat po me penallti.
Këtë herë skuadrës së Sarrit i ka munguar cinizmi, duke shpërdoruar gjithçka që ndërtoi me shumë mund në këtë transfertë. Leçe ka marrë në ndeshjen më të vështirë pikën e parë në shtëpi dhe në stadiumin “Via del Mare” ka shpërthyer festa. Një rezultat që i shkon shumë për shtat një ish-juventini, Antonio Kontes, trajnerit të Interit. Një asist për zikaltrit, që mund të marrin kryesimin, nëse mundin Parmën. Juventusi ka 23 pikë pas ndeshjes së fundit, kurse Interi 21.
Trajneri Mauricio Sarri këtë herë i besoi një vend titullari gjermanit Emre Çan, i lënë jashtë listës së Championsit mes shumë polemikash, por mesfushori nuk e mbylli ndeshjen. Bardhezinjtë krijuan shumë raste gjatë ndeshjes, Higuainit iu anulua një gol nga VAR-i për pozicion jashtë loje, kurse Dibala u ndal nga një mrekulli e Gabriel. Pjaniç fitoi penalltinë për Juventusin, VAR-i e konfirmoi dhe Dibala nuk gaboi. Pastaj erdhi prekja e zakonshme e topit me dorë në zonë nga De Lugt. Një problem që Juventusi duhet ta zgjidhë. Mankosu barazoi dhe më pas ndeshja ishte një dialog midis sulmit bardhezi dhe mbrojtjes së Leçes. Bernardeski kaloi edhe portierin, por goditi traun me portën bosh. Asgjë nuk ndryshon me lëvizjet e trajnerit Sarri dhe Juventusi lë dy pikë, por mund të lërë edhe kryesimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.