Futboll

Juventusi lë vetëm Realin dhe Barcelonën, heq dorë nga projekti i Superligës

Gazeta Si – Juventusi është tërhequr nga projekti i Superligës. Klubi italian u ka dërguar një letër zyrtare Barcelonës dhe Real Madridit, me të cilën u komunikon se kërkon të bisedojë për daljen e mundshme nga projekti.

Klubi bardhezi, gjatë drejtimit të Andrea Anjelit, ishte një nga më aktivët për dhënien jetë të idesë që tërboi UEFA-n. Dyshimet për përjashtimin e mundshëm nga kupat e Europës për sezonin e ri nga organi që drejton futbollin europian, si pasojë e telasheve me drejtësinë sportive italiane, e kanë detyruar Juven të shohë një pozicion tjetër në lidhje me çështjen dhe të informojë zyrtarisht dy klubet spanjolle, që janë ende pjesë e projektit.

Perez, Anjeli dhe Bartomeu. Gazeta Si, 6 qershor 2023

"Juventus Football Club S.p.A. informon për komunikimin e dy klubeve të tjera, që si Juventusi, nuk kanë ushtruar të drejtën e tërheqjes nga projekti i Superligës (Barcelona dhe Real Madrid), që të nisin një fazë diskutimesh mes të treve për daljen e mundshme të Juventusit nga ky projekt”, - shkruhet mes të tjerash në komunikatën e klubit.

UEFA ka hapur një hetim për Juventusin në lidhje me shkeljet që ka bërë klubi italian, që e ka marrë një dënim nga drejtësia sportive italiane. Një situatë kjo që me siguri ka ndikuar në tërheqjen e këtij klubi nga Superliga, pavarësisht se në komunikatë thuhet se nuk ka pasur asnjë kërcënim nga UEFA.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë