Futboll

Juventusi kërkon të mbushë arkën, do 160 milionë euro për dyshen Kieza-Vlahoviç

Gazeta Si – Juventusi po përgatitet për një shitje të dyfishtë, që mund të sjellë në arkat e klubit bardhezi 160 milionë euro. Një shifër kjo që më pas mund të përdoret për afrimet në mënyrë më të arsyetuar.

Mes misioneve të drejtorit sportiv Kristiano Xhuntoli është që të shesë 90 milionë euro sulmuesin Dushan Vlahoviç dhe 70 milionë euro Federiko Kiezën. Në anën tjetër pastaj duhet të sistemojë lojtarë si, Artur, MekKeni dhe Zakaria, të cilët janë jashtë planeve të klubit.

Dushan Vlahoviç, sulmuesi i Juventusit. Gazeta Si, 13 korrik 2023

Vlahoviç nuk ka folur për të ardhmen kohët e fundit, por orët e fundit nga Franca kanë dalë lajme se serbin e kërkon PSG. Sipas ‘Le Parisien’, sulmuesi i Juventusit është kthyer në një objektiv të rëndësishëm, pasi De Laurentis i Napolit ka kërkuar 200 milionë euro për Osimhen. Për momentin Juventusi nuk ka asnjë ofertë zyrtare nga parisienët.

Për Vlahoviç pati një sondazh edhe nga Bajerni në fund të kampionatit të shkuar, para se bavarezët të fokusoheshin te Herri Kejn. Më pas sulmuesi serb iu propozua edhe Çelsit, ndërsa tani pista më e nxehtë duket kjo e PSG-së dhe çmimi i fiksuar është 90 milionë euro. Mund të ulet maksimumi deri në 80.

Te Juventusi Vlahoviç përfiton 7 milionë euro në sezon, aq sa Rabiot dhe 1 milion më pak se më i paguari, Pogba. Mes detyrave kryesore të Xhuntolit është edhe reduktimi i pagave.

Kieza gjate nje ndeshjeje me Juventusin. Gazeta Si, 13 korrik 2023

Drejt shitjes është edhe Kieza, me të cilin trajneri Alegri nuk ka pasur asnjëherë ‘feeling’, pavarësisht deklaratave. Juventusi kërkon 70 milionë euro për italianin dhe mund të ulet deri në 60. Për Kiezën ka një interesim nga Liverpuli, që pritet të shesë Momo Salah në Arabinë Saudite.

Më parë Juventusi kishte marrë një ofertë konkrete prej 60 milionë eurosh nga Aston Vila, por vetë lojtari e refuzoi atë, duke dashur një nga klubet më të mëdha të Premier Ligës. Dhe në këtë kategori sigurisht hyn Liverpuli, edhe pse nuk do të jetë në Champions sezonin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë