Futboll

Juventusi i ri me fitore të vjetra, “dashuri e përjetshme” për 1 gol diferencë

Nuk ka asgjë të re te Juventusi. Fjalët e Kristiano Ronaldos, autorit të dy golave, për ata që e pyesnin pse nuk ishte një ndeshje brilante ajo me Parmën, kanë qenë ato të zakonshmet: “Sot ishte më e rëndësishme të fitonim”. Juventusi fiton bindshëm, në një muaj e gjysmë ka rikuperuar 6 pikë ndaj Interit dhe ka hedhur bazat për shkëputjen e parë sezonale. Sarri e sheh veten në pasqyrë në lartësinë e trajnerëve të mëdhenj të historisë bardhezi, madje edhe pak më lart, sepse e ka kaluar kufirin e 50 pikëve në 20 ndeshje kampionat. E ka bërë në një ndeshje më pak se Alegri dhe katër më pak se Konte.

Por fitoret nuk janë gjithmonë njësoj dhe është interesante të bësh krahasimin me stafet e mëparshme. Me ardhjen e Sarrit, Juventusi tentoi të bënte një ndryshim të madh: përveç rezultatit, të bënte edhe lojën e bukur. Në fakt, Juventusi këtë sezon duket se është fiksuar te rezultatati 2-1. Skuadra ka vështirësi për ta mbajtur rrjetën të paprekur dhe për këtë nuk është përgjegjësi e portierëve Bufon dhe Shezni.

Mauricio Sarri, trajneri i Juventusit. Gazeta Si, 20 janar 2020

Është edhe më surprizues krahasimi me ish-trajnerin Masimiliano Alegri, i cili “akuzohej” për filozofinë e rezultatit pa bërë shumë sforco. Në 5 sezonet e Alegrit si trajner i kampionëve në fuqi, fitoret me një gol diferencë nuk e kalonin kurrë 50%-shin. Më shumë fitore me një gol avancë Alegri arriti sezonin e tij të fundit te bardhezinjtë, 14 nga 28 fitore në total. Kurse këtë sezon, me Sarrin në stol, Juventusi ka 75% të fitoreve me një gol më shumë se kundërshtari. Duket një “dashuri e përjetshme” e juventinëve me fitoren minimale.

Juventusi i sezonit 2019-2020 regjistron 12 fitore nga 16 në total me nëj gol diferencë. Tetë nga këto fitore janë me rezultatin 2-1, tre me rezultatin 1-0 dhe një me rezultatin më spektakolar, 4-3, javën e dytë kundër Napolit. Dhe pikërish në Napoli trajneri Mauricio Sarri do të kthehet për herë të parë të dielën në mbrëmje si kundërshtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë