Futboll

Juventusi fiton sfidën e “barelave”, shpallet kampion dimri

Roma-Juventus nuk u ngjit asnjëherë në nivelin e pritur të lojës. Gjithsesi, Juventusi arriti të fitojë 1-2 dhe gjithashtu të shpallet “kampion dimri”, nëj titull simbolik, por me vlera më tepër morale. Përveç kësaj, vëmendjen në këtë ndeshje e morën dëmtimet serioze të mbrojtësit Demiral të Juventusit dhe Xaniolo të Romës. Që të dy dolën nga fusha me barelë dhe do të mungojnë për një kohë të gjatë, veçanërisht mesfushori i Romës.

Juventusi e zgjidhi ndeshjen shumë shpejt, duke përfituar nga pasiguria e Romës në mbrojtje. Demiral shënoi golin e avantazhit dhe vetëm pas pak miutash Kristiano Ronaldo dyfishoi me një penallti të fituar nga Dibala. Roma hasi vështirësi për ta rrezikuar portën e bardhezinjve dhe në pjesën e dytë arriti të shkurtonte diferencën me argjentinasin Peroti, i cili realizoi po me penallti. Megjithatë, skuadra e Fonsekës doli e humbur në “Olimpico”, kurse Juventusi ka marrë tashmë i vetëm kryesimin e Serisë A.

Juventusi feston golin e Ronaldos me penallti. Gazeta Si, 13 janar 2020

Kampionët në fuqi, pas këtij trepikëshi, kanë parakaluar Interin, duke u ngjtur në kuotën e 48 pikëve. Juventusi e ka shfrytëzuar në mënurën më të mirë ndalesën e zikaltërve ndaj Atalantës dhe tashmë kanë avantazhin e 2 pikëve. Roma mbetet në vendin e 5-të, në kuotën e 35 pikëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë