Futboll

Juventusi bllokon talentin rus, si në rastin e Ronaldos dhe De Ligt

Në vitin 2018 Juventusi e bëri me Kristiano Ronaldon, në vitin 2019 me Mathijs de Ligt, ndërsa në vitin 2020 mund të jetë radha e Aleksei Mirançuk, talentit rus të Lokomotivës së Moskës. Goli i shënuar në Champions League kundër Juventusit i ka intriguar drejtuesit bardhezinj për ta marrë këtë lojtar në Torino.

Kupola drejtuese e “Zonjës së Vjetër” e ka vëzhguar me shumë kujdes mesfushorin në dy ndeshjet në grup dhe mësohet se e ka bllokuar atë për verën e ardhshme, falë edhe ndërmjetësimit të Gabriele Xhufridas. Lojtarit të datëlindjes 1995 i skadon kontrata me Lokomotivën e Moskës në vitin 2021, kështu që vera e ardhshme është edhe “treni i fundit” për klubin e Lokomotivës, për shitjen e xhevahirit të tij. Për këtë arsye, por edhe për të fituar konkurrencën me klubet e tjera të interesuara për Mirançuk, si Zeniti, Atletiko Madrid dhe Mançester Junajtid, Juventusi ka lëvizur para kohe dhe në princip ka arritur një akord.

Aleksei Mirançuk i shënon Juventusit në Champions. Gazeta Si, 22 nëntor 2019

Janë ende misterioze shifrat e marrëveshjes së mundshme. Ajo që dihet është se verën e shkuar Lokomotiva refuzoi një ofertë prej 80 milionë eurosh për mesfushorin dhe vëllanë e tij binjak Anton. Të dy janë pjesë e Lokomotivës dhe të dy do të jenë me Rusinë në Euro 2020. Në Rusi Mirançuk është një yll i vërtetë. Djaloshi pëlqehet shumë nga Juventusi për nivelin e tij teknik, por intrigon jo pak edhe në pikëpamjen komerciale.

Juventusi ka një projekt shumë serioz për shtrirjen globale dhe është gjithmonë shumë i vëmendeshëm ndaj lojtarëve, të cilët e lehtësojnë klubin bardhezi të hyjë në tregje, ku është më pak i fortë. Me siguri trekuartisti i Lokomotivës së Moskës dhe kombëtares do të shtonte interesin e rusëve për kampionët e Italisë. Në vendin e tij Mirançuk krahasohet me Mesut Ozil, në 2015-ën Mesi e evidentoi si një nga talentet që duhet ndjekur, ndërsa shoku i skuadrës, kroati Vedran Çorlluka, ka thënë: “Ai i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë një “top-player”. Dhe Paratiçi i ka zgjatur duart drejt talentit rus, siç bëri me Ronaldon dhe De Ligt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë