Futboll

Juventus, nga Spanja: Ronaldo mund të largohet

I gjithë futbolli botëror është ndalur për shkak të pandemisë së Covid-19, por thashethemet për merkaton nuk ndalen. Lajmi i fundit, sensacional, vjen nga Spanja: sipas portalit Diario Gol, në fakt, Cristiano Ronaldo mund të largohet nga Juventus në merkaton e verës, i tentuar nga një ofertë e ‘’frikshme’’ nga PSG. Parisienët janë gati ta mbulojnë me miliona portugezin, nëse do të konkretizohet lamtumira e Neymar, për të formuar me Mbappé një dyshe ëndrrash.

Për momentin është vetëm një thashethem dhe si i tillë duhet të merret. Presidenti Andrea Agnelli, për më tepër, ka bërë të ditur gjithnjë se CR7 nuk do të lëvizë nga Juventus, edhe pse është i blinduar nga një kontratë prej 31 milionë euro në vit deri në 2022. Edhe pse sezoni bardhezi përpara ndërprerjes nuk ka qenë një nga më interesantet e viteve të fundit, Ronaldo ka një mesatare goli të çmendur, me 21 gola në 22 ndeshje vetëm në Serie A. Në ditët e fundit kanë nisur të qarkullojnë zërat për një rinovim të mundshëm, që mund ta mbajë portugezin bardhezi deri në 2024, kur do të jetë 39 vjeç.

Ana tjetër e medaljes, sidoqoftë,  është bilanci i shoqërisë: Juventus ka regjistruar një humbje prej më shumë se 50 milionë euro në semestrin e parë të 2019/2020, një rënie në faturim në krahasim me sezonin e mëparshëm. Numra aspak ngushëllues, që mund ta bëjnë klubin të reflektojë përpara një ofertë të rëndësishme, në gjendje ti japë frymëmarrjes llogarive të shoqërisë. Edhe pse futbolli është ndalur,  Jorge Mendes është në punë, duke marrë parasysh që Manchester United, përsëri sipas Diario Gol, ka bërë një tentativë për CR7 me idenë e një rikthimi në shtëpi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë