Futboll

Juventus me sytë nga Portugalia, vëzhgon tre talente

Përballë janë dy ndeshje shumë të rëndësishme brenda tre ditëve që përcaktojnë sezonin e Juventus. Humbja 2-0 në sfidën e parë me Atletikon, që do duhet të përmbyset në Torino dhe përballja në fundjavë me Napolin e vendit të dytë, padyshim që do të vendosin për këtë sezon të nisur me shumë bujë nga Juventus. Por me qetësinë që i karakterizon, drejtuesit e torinezëve janë duke planifikuar në fshehtësi edhe planin B sido që të mbyllet ky sezon.

Në fillim u fol për një largim të Masimo Alegrit nëse Juventus dështon të fitojë Ligën e Kampionëve, por tashmë trajneri italian mund të largohet edhe në triumfon në kampionat dhe Champions. Te Juventus janë duke menduar për një minirevolucion, duke tentuar të fusnin në ekip elementë të rinj me moshë mesatare relativisht të ultë. Tregu i preferuar është ai portugez, ku Juventus deri më tani nuk ka dështuar.

Sipas gazetës Tutosport në syrin e skautëve të Juventus aktualisht janë tre talente. Ruben Diaz, Zhoao Feliks dhe Eder Militao. I pari është vetëm 22 vjeç dhe tashmë mund të konsiderohet një mbrojtës me eksperiencë, pasi ka disa sezone që luan titullarë me Benfikën në Portugali. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për fantazistin që është gjithashtu në radhës e Benfikës, Zhoao Feliks. I konsideruar si “Rui Kosta i ri”, Feliks po ndiqet me vëmendje nga drejtuesit e Juventusit dhe në verë mund të udhëtojë drejt Torinos për ta vazhduar karrierën me fanellën bardhezi. Një tjetër emër që është kthyer në modë jo vetëm për Juventusin është Eder Militao. Braziliani pëlqehet edhe nga Real Madrid dhe për këtë arsye “Zonja e vjetër” po nxiton që ta mbyllë sa më shpejt këtë çështje për të mos rrezikuar të hyjë në një ankand, ku çmimi mund të disafishohej.

Në prioritet e Juventusin për merkaton e verës është rikthimi i Marko Pjacës. Mesfushori kroat po bën mirë te Fiorentina dhe duket se është gati që të luaj me Juventusin, duke filluar që nga gushti i verës së ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë