Futboll

Alegri në prag të dështimit, Juventus studion 4 emra trajnerësh

Humbja në ndeshjen e parë të 1/16 ndaj Atletiko Madrid 2-0, duket shumë e vështirë për t’u kthyer dhe Juventus është pranë largimit nga Liga e Kampionëve, objektivit kryesor sezonal. Dështimi edhe këtë sezon i “zonjës” në Champions me shumë mundësi do të çonte edhe në largimin e trajnerit Masimiliano Alegri. Tekniku 52-vjeçar ka fituar çdo trofe të mundshëm kombëtarë, por kur vjen puna për në Europë, i peshon shumë finalja e humbur në Ligën e Kampionëve dhe dështimet në vitet e tjera.

Te Juventus gjithmonë në fund të çdo sezoni, pas dështimit të Europë në 4 sezonet e fundit është folur për largimin e Maks Alegrit, por deri më tani ai ka rezistuar.

Sipas disa medieve italiane fundi i këtij sezoni pa një trofe europian në shtëpi, do të sillte largimin e paevitueshëm të Alegrit. Të gjendur në këtë situatë drejtuesit torinezë kanë filluar punën për të studiuar emrat e trajnerëve që mund të marrin drejtimin e ekipit duke filluar që nga sezoni i ardhshëm. Janë katër emrat më të mundshëm që Juventus po i shikon si alternativa të mundshme për të marrë drejtimin e ekipit.

Zinedin Zidan një mundësi për t’u rikthyer në shtëpi

Francezi ka arritur kulmin te Juventus kur ishte futbollist, duke fituar gati gjithçka. Me Real Madrid ai fitoi çdo trofe të mundshëm duke u bërë një nga teknikët më të suksesshëm në historinë e “los blancos”. Kalimi te Juventus u përfol që në momentin kur ai u largua nga Madridi edhe pse për hir të së vërtetës ka pasur zëra për kalimin e tij në disa ekipe të ndryshme. Në Torino ai do të gjente Ronaldo dhe mund të merrte me vetë edhe të tjerë “yje” të Real Madrid, si Marcelo apo edhe Isko. Me këtë minirevolucion, Juventus dhe Zidan do të ishin të dënuar që të triumfonin në Champions, pasi rrugë tjetër nuk do mund të kishte.

Jurgen Klop si një ëndërr në Torino

Një largim i Jurgen Klop në këtë fazë të kampionatit nga Liverpuli duket një fantazi shumë e largët. Gjermani e ka ngritur Liverpulin në nivelin e 5 ekipeve më të mira në Europë dhe këtë sezon tenton t’i fitojë si Ligën e Kampionëve edhe kampionatin e shumë pritur nga “the reds”. Por te Juventus vijojnë të mbajnë shpresa. Në rast të një triumfi të Liverpulit ai mund të zgjidhte të largohej si fitimtar dhe i gatshëm për një aventurë dhe sfidë të re në karrierë.

Didier Deshamps rikthim si kampion

Trajneri kampion bote është një emër i njohur dhe shumë i dashur për tifozët e Juventusit. Ai ka qenë lojtarë i bardhezinjve, por edhe trajnerë në sezonin e vështirë në Serinë B, pas “Kalçopolit”. Te Franca, ai ka ndërtuar një ekip të fortë që mund të mposhtë çdo rival, gjë që tregoi edhe në botërorin e Rusisë. Për momentin ai është në drejtimin e kombëtares franceze, por një thirrje nga Juventusi, vështirë se mund të refuzohet nga tekniku 53-vjeçar.

"Misioni i pamundur" Pep Guardiola

Emri i Spanjollit, ashtu si edhe Klop më shumë është një fantazi e gazetës “Tottosport”, pasi të largosh Guardiolën nga Mançester Siti do duhet të plotësohen shumë komponentë të ndryshëm. Spanjolli është në rrugën e mbarë në Premier League me ekipin e tij, por e ka treguar edhe më herët se nuk i pëlqen që të qëndrojë gjatë në një ekip. I vetmi kampionat i madh, ku Guardiola nuk ka trajnuar, është Seria A dhe për këtë arsye drejtimi i Juventusit do të ishte një kënaqësi personale për trajnerin katalanas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë