Futboll

Juve-Inter mbyllet me sherr, Lukaku shpëton Inzagin nga humbja e radhës

Gazeta Si - Ka përfunduar në barazim 1-1 akti i parë gjysmëfinal i Kupës së Italisë mes Juventusit dhe Interit, si dhe me një sherr masiv në fushë. Kualifikimi është lënë për në ndeshjen e kthimit në ‘San Siro’. Fundi i ndeshjes u shoqërua me tension të madh dhe për rrjedhojë u dhanë 3 kartonë të kuq.

Emocionet më të mëdha sfida e luajtur në Torino i rezervoi pikërisht në fundin e saj. Kuadrado shënoi golin e avantazhit për Juventusin 7 minuta para fundit. Në shtesë Interi i shpëtoi humbjes së radhës, duke barazuar me penallti me Lukakun. Bremer e preku topin me dorë në zonë.

Milik më parë humbi një rasat ideal për gol, ndërsa zikaltrit pretenduan për një tjetër penallti, që nga VAR–i nuk rezultoi e tillë. Pas golit të shënuar nga pika e bardhë, Lukaku, i futur në fushë si zëvendësues, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe do të mungojë në kthim.

Shkaku i kartonit të kuq ishte festa polemizuese e golit ndaj tifozëve të Juventusit në "Stadium", ku belgu u bëri me shenjë të heshtin. Ky moment ndezi gjakrat dhe solli atë përplasje mes lojtarëve të dy skuadrave.

Momenti i tensionit ne fund. Gazeta Si, 4 prill 2023

Do të mungojë në ndeshjen e kthimit edhe kapiteni Handanoviç, i ndëshkuar me karton të kuq pas sherrit që shpërtheu pas mbylljes së ndeshjes. Të njëjtin fat pati edhe Kuadrado, autori i golit për Juventusin në këtë sfidë.

Kristjan Asllani pritej në fushë nga minuta e parë, por trajneri Inzagi edhe këtë herë nuk i dha më shumë se 9 minuta futbollistit kuqezi. Duket se trajneri italian ka diçka personale me mesfushorin e Kombëtares shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë