Futboll

Juve i jep goditjen e radhës Interit, Hysaj shijon triumfin në derbi dhe vendin e 2-të

Gazeta Si – Derbi i Italisë shkon për Juventusin. Në ‘San Siro’ ka vendosur një gol mes polemikash i Kostiç. Humbja e dytë radhazi për Interin në kampionat, e treta në katër ndeshjet e fundit. Lacio e parakalon dhe i merr vendin e dytë. Asnjë minutë për Kristjan Asllanin.

Juventusi ka fituar 0-1 ndaj Interit, në ndeshjen e fundit të javës së 27-të të Serisë A. Interi e nisi mirë ndeshjen dhe rrezikoi dy herë me Barelën, që u ndal nga Shezni. Por zikaltrit lanë hapësira prapa dhe u ndëshkuan.

Juventusi feston golin e Kostiç. Gazeta Si, 19 mars 2023

Filip Kostiç e dërgoi topin në rrjetë me një gjuajtje të saktë në zonë, në pozicion diagonal, kur kishin kaluar 23 minuta lojë. Nga ana e lojtarëve zikaltër pati protesta për një prekje të topit me dorë nga Rabiot dhe Vlahoviç në nisje të aksionit, por asgjë nuk ndryshoi edhe pasi u panë pamjet në VAR.

Në pjesën e dytë Interi u mundua të reagonte dhe trajneri Inzagi bëri lëvizjet e tij, duke freskuar sulmin me Xhekon dhe Korrean. Megjithatë, skuadra e Alegrit u mbrojt mirë deri në fund, duke marrë një trepikësh të rëndësishëm në derbin e Italisë. Bardhezinjtë ngjiten në kuotën e 37 pikëve me këtë fitore, 7 pikë larg zonës Champions.

Një mbrëmje mjaft e bukur ishte kjo e sotmja për Elseid Hysajn. Mbrojtësi i Kombëtares ka fituar derbin e Romës me Lacion, 1-0, një rezultat që e ngjit këtë ekip në vend të dytë. Ai ishte titullar në të majtë të mbrojtjes dhe ka bërë një nga ndeshjet e tij më të mira, madje ka marrë publikisht edhe komplimentet e trajnerit Mauricio Sarri për atë që dha në fushë.

Derbi u vendos nga një gol i Xakanjit në pjesën e dytë. Ibanjez e la Romën me 10 vetë që në pjesën e parë, pasi u ndëshkua me dy kartonë të verdhë. Nuk mungoi tensioni në fundin e ndeshjes, por edhe gjatë saj. Marusiç dhe Kristante u ndëshkuan me karton të kuq pasi ishte mbyllur ndeshja. Kumbulla ishte i padisponueshëm, për shkak të kartonit të kuq të marrë me Sasuolon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë