Politike

Juristët kundër Muçit: Nuk është më anëtar i Kushtetueses. Vendi po shkon drejt kaosit

Vendimi i marrë nga Komisioni i Posaçëm të Apelimit për shkarkimin nga sistemi i drejtësisë është kontestuar nga anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi pasi e ka interpretuar si të paefektshëm, për shkak se nuk e konsideron veten si prokuror, e ka ndërruar status duke marrë rolin e gjyqtarit.
Një interpretim që ngriti pikëpyetje për natyrën e vendimit të KPA-së që cilësohet si shkalla finale e procesit të Vettingut. Gazeta Si kontaktoi disa ekspertë dhe konstitucionalistë në lidhje me qëndrimin e mbajtur nga Besnik Muçi, nëse i “shpëton” ose jo përjashtimit nga sistemi i drejtësisë ose jo.
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani e cilëson si të përjashtuar nga sistemi i drejtësisë Muçin, ndërsa shton se i vjen keq për reagimet e mbajtura për cilësim si “nul” të vendimit të KPA-së. Ai është edhe kundër qëndrimit të mbajtur nga Arta Vorpsi, apo veprimit të saj të betimit përpara noterit.

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Gazeta Si, 21 nëntor

“Më vjen keq që dy juristë Besnik Muçi dhe Arta Vorpsi japin një model dizintegriteti profesional, pas kaq viteve përvojë në sistemin e drejtësisë. Janë të dy juristë shumë të mirë, por që e shumëzojnë me zero nga këto qëndrime aspak dinjitoze. Njëra betohet te noteri, a thua se e ka blerë emërimin, tjetri bën lojëra fjalësh me vettingun si prokuror e jo si gjykatës, a thua se nuk është i njëjti person! Sinqerisht jam i keqardhur!”, shprehet Manjani për Gazeta “Si”. Ish-ministri i Drejtësisë ndan mendimin se ky proces i vettingut me dy standarde do e çojë vendin në një situatë kolapsi.
“E kuptoj që kjo kohë që po kalojmë nuk është një situatë normale, që politika i mori frymën këtij vendi, që debati publik është i keqorientuar dhe shpesh përfundon në fajësi të viktimës, ose në fyerje e shpifje nga më të rëndomtat. E kuptoj gjithashtu se Vettingu ka legalizuar 2 e më shumë standarde. Ashtu siç kuptoj (e kam paralajmëruar që herët) se po çojmë vendin në kolaps gjyqësor me reforma të pastudiuara mirë. E kuptoj që politika e do drejtësinë në duart e saj. Por integriteti personal e profesional nuk ka lidhje me këto gjëra. Atë, nëse e ke duhet ta tregosh”, thekson Manjani.

Sokol Hazizaj. Gazeta Si, 21 nëntor 2019


Juristi i njohur, Sokol Hazizaj shprehet për Gazeta “Si” vendimi i KPA-së e përjashton Muçin, pasi ai është edhe në rolin e magjistratit dhe kjo sipas tij është pasoja e vendimit final të procesit të vettingut.
Më i ashpër në qëndrimin e tij është juristi Jordan Daci, i cili thekson se nëse Muçi sillet në këtë mënyrë i rëndon pozitat e veta dhe madje mund të ketë pasoja penale.
“Vazhdimësia e vendimit është më se logjike, normalisht. Në këtë rast janë parimet e së drejtës, për mua ai është i shkarkuar, pastaj nëse ai e njeh ose jo është punë tjetër dhe jemi vendi i çudirave. Ka një vendim të KPA ai është në fuqi dhe nuk ka kush e zhbën, çështja e zotit Muçi është mbyllur përfundimisht, nëse nuk do ta zbatojë i rëndon pozitat e tij dhe do t’i krijonte probleme të tjera.. Fatkeqësia është se ai nuk duhet të ishte aty fare në garë si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ky është faji i KED-së”, theksoi Daci për Ora News.

Jordan Daci, jurist. Gazeta Si, 21 nëntor 2019


Ai hodhi poshtë qëndrimet e mbajtura nga Muçi, që vendimet nuk e prekin si anëtarë gjykate. “Vendimmarrja e KPA është jashtë juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese. E kundërta e qëndrimit të Muçit është se vendimi është jashtë juridiksioni ,por jo anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Jemi në një situatë ky të gjithë mekanizmat në vend nuk e zgjidhin krizën”, thekso Daci.
Nishani pro Muçit, Gjata mendim tjetër
Ish-presidenti Bujar Nishani ka një mendim pro Besnik Muçit, duke i cilësuar si të drejtë mënyrën e interpretimit të vendimit të KPA-së. “Arsyetimi i Muçit është korrekt dhe i saktë në vijë logjike. Besnik Muçi si prokuror nuk ekziston më që nga dita që është dekretuar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe është betuar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Analiza morale është tjetër gjë. Jo çdo qytetar hyn në Vetting. Kur një subjekt nuk ekziston më, ka ndërruar jetë, mbyllet çështja. Në rastin konkret Muçi nuk ekziston më si prokuror”, deklaroi Nishani. Këto qëndrime ish-presidenti i mbajti pas një konsultimi 20 minutash me presidentin Ilir Meta për krizën politike dhe për zgjidhjen e ngërçit të Kushtetueses.

Presidenti Meta duke u konsultuar me ish-presidentin Nishani. Gazeta Si, 21 nëntor

Pyetjes se a duhet Presidenti të priste që Muçi fillimisht t'i nënshtrohej vettingut dhe më pas të dekretohej si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ai pati këtë koment, kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së u shpreh se “presidenti ka për obligim të respektojë Kushtetutën. Gjykimi i Presidentit nuk bëhet mbi bazën e vonesave të qëllimshme që bëhen nga institucionet e tjera”.
Por sekretari i Çështjeve Ligjore të PD-së, Çlirim Gjata në një intervistë televizive u shpreh se “nuk ndërhyj te qëndrimi i Muçit . Kur një jurist shkarkohet nga Vettingu ai ndodhet në kushtet e pazgjidhshmërisë. Ky është pjesë e trajtimit të KED-së se si do të veprohet. Nuk trajtohet ashtu siç thotë maxhoranca. Ata punojnë me lugetër, me shejtanë me shtriga me fshesë. Dy institucione kanë ngelur në Shqipëri kryeministri dhe Presidenti”.
Gjata theksoi se PD ka kontestuar vendimet e KPK për standardin e dyfishtë të përdorur sipas tij. Ai tha më tej se kreu i KED, Ardian Dvorani kaloi vettingun me 90 mijë euro që nuk i justifikonte dhe nuk pati as ankimim. “Nuk komentojmë asnjëherë vendimet e institucioneve të vettingut, sidomos kur janë për shkarkimin. Ajo që kemi kontestuar janë vendimet e KPK, shkalla e parë. Vendimet e rikonfirmimit të detyrë, kemi kontestuar ato vendime që kanë qenë në standard të dyfishtë. Rasti flagrant ka qenë për Dvoranin, ku KPK megjithëse nuk justifikonte 90 mijë euro inspektori nuk bëri as ankimim. Apo Donika Prela. I vetmi moment kur kemi kontestuar vettingun ka qenë standardi i dyfishtë në shkallën e parë të Vettingut”, theksoi Gjata.
Loja nga e para për Kushtetuesen
Shkarkimi i Muçit tashmë ka rikthyer sërish krizën në Gjykatën Kushtetuese. Tashmë procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të nisë nga e para. Ndërsa edhe Marsida Xhaferllari është në proces vettingu.
Kjo do të pasohet me një zgjatje të procesit të plotësimi të Gjykatës, pasi aktualisht ka katër anëtarë. Ky kaos është paralajmëruar edhe nga vetë ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Presidenti Ilir Meta në foto me anëtarët e Kushtetueses.

“As 24 orë nuk kaluan nga çfarë paralajmërova dje. Republika e Ambasadorëve të Shqipërisë është pa Gjykatë Kushtetuese! Premtimi që "do ta bëjmë gjykatën brenda këtij viti", ra. Më e tmerrshmja nuk është kjo, por shumë shpejt nuk do ketë më gjykata apeli. Domethënë nuk do të ketë më asnjë vend për zgjidhje mosmarrëveshjesh sipas ligjit. Vendi po shkon drejt kaosit të vetëgjyqësisë!!! Fajin e ka Macroni…”, shprehet Manjani. Ndërkaq procesi do të zgjatet edhe nga fakti se Partia Socialiste do t’i drejtohet komisionit të Venecias për interpretimin e vendimit të Metës për të dekretuar Marsida Xhaferllarin si anëtarë, në një kohë që maxhoranca pretendon se duhej të jetë Arta Vorpsi. Një ngërç pa fund që më shumë lë Shqipërinë pa Gjykatë Kushtetuese dhe do të zgjasë mbase edhe më tej vendimin e mazhorancës socialiste për shkarkim të Metës nga posti i presidentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë