Futboll

Jurgen Klinsman jep dorëheqjen, akuzon drejtuesit e Herthës

Jurgen Klinsman nuk është më trajner i Herthës së Berlinit. Ai ka dhënë sot dorëheqjen, duke i befasuar drejtuesit e klubit berlinez. Klinsman u thirr fillimisht për të qenë pjesë e këshillit mbikëqyrës të klubit dhe më pas u bind të ishte trajner i Hertës, por duket se nuk i ka pëlqyer fakti se që në fund të nëntorit nuk ka marrë ende garanci për sezonin e ardhshëm. Në 10 ndeshje me Klinsmanin në stol, Hertha ka grumbulluar 12 pikë dhe është më e qetë, 6 pikë larg zonës së rënies.

Klinsman e ka bërë të ditur vendimin e tij me një postim në Facebook, ku shkruan: “Në këtë rol delikat kam nevojë të kem besimin e drejtuesve. Në luftën për mbijetesë është thelbësore që në klub të jenë të gjithë të bashkuar, të jenë në të njëjtin drejtim dhe të përqendruar te gjërat e rëndësishme. Nëse këto nuk janë të garantuara, nuk mund ta shfrytëzoj potencialin tim si trajner. Pas një reflektimi të gjatë kam arritur në konkluzionin se është më mirë të tërhiqem nga posti i trajnerit dhe të përqendrohem tek ai i anëtarit të këshillit mbikëqyrës”.

Trajneri gjerman, Jurgen Klinsman, i larguar nga Hertha. Gazeta Si, 11 shkurt 2020

Klubi i Herthës ka dalë më pas një njoftim në kanalet e saj zyrtare në rrjetet sociale, ku shpreh habinë për dorëheqjen e Klinsmanit. Një njoftim në emër të drejtorit sportiv Mikael Pretz, i cili shprehet: “Kemi mbetur të befasuar, sepse nuk kishim asnjë sinjal, aq më tepër pas bashkëpunimit shumë të mirë në merkaton e dimrit”. Mes 18 klubeve të Bundesligës, asnjë nuk ka shpenzuar më shumë se Herta në janar. Berlinezët kanë marrë sulmuesin Piatek nga Milani dhe mesfushorin Tusart nga Lioni. Ajo që habit më shumë në këtë çështje është se duke qenë në këshillin mbikëqyrës të klubit, Klinsman bën pjesë në atë grup drejtuesish, të cilët ai i ka akuzuar për mungesë besimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë