Analize

Jugu është tani “bomba” më e rrezikshme e Italisë, jo pandemia

Në fillim të marsit, Lombardia, rajoni më i pasur i Italisë, u kthye në epiqendrën e një pandemie të re globale. Ndërsa numri i rasteve të koronavirusit arriti mbi 7000, me më shumë se 350 të vdekur, qeveria italiane vendosi në karantinë qytetet më të prekura dhe pjesën tjetër të Italisë veriore, një veprim që ishte pothuajse i paimagjinueshëm në atë kohë.

Megjithatë, ndërsa bota u përqëndrua në veri të Italisë, Filippo Anelli, presidenti i federatës kombëtare të mjekëve të vendit, pa një krizë tjetër që po vinte. “Nëse Lombardia është gjunjëzuar brenda dy javësg,” tha ai, “imagjinoni se çfarë do të ndodhte në jug.”

Paralajmërimi i Anelli është sigurisht një simbol i pabarazisë midis Jugut dhe Veriut të Italisë. Ndërkohë që sistemi shëndetësor i Italisë renditet vazhdimisht si ndër më të mirët në botë, një raport i vitit 2019 nga Komisioni Europian vuri në dukje se “njerëzit në jug kanë dy herë më shumë mundësi të vdesin ndërkohë që trajtohen në spitale sesa njerëzit në veri “. Ka vetëm 95 punonjës të kujdesit shëndetësor për çdo 10,000 banorë në jug, krahasuar me 117 për 10,000 banorë në veri. Para shpërthimit të koronavirusit, afërsisht dy të tretat e 5.300 shtretërve të njësive të kujdesit intensiv ishin përqendruar rajonet e saj qendrore dhe veriore.

Me burime të pakta dhe infrastrukturë më të dobët, shumë prisnin që virusi që kishte shkatërruar zonat më të pasura të vendit, do të shkatërronte jugun. Kur qeveria njoftoi masat e izolimit, politikanët në të gjithë jugun filluan t’i bënin thirrje italianëve të veriut që të qëndronin në shtëpi. “Mos e sillni këtë virus te vëllezërit, motrat, gjyshërit tuaj”,tha guvernatori i Puglias, Michele Emiliano. Presidenti i Kalabrisë, Jole Santelli, ishte po aq i drejtpërdrejtë: “Ardhja juaj këtu kërcënon territorin tonë dhe të gjithë të dashurit tanë. Sistemi ynë shëndetësor nuk mund ta përballojë. Mos e bëni”, tha ai.

Më shumë se dy muaj më vonë, Lombardia ende përbën mbi një të tretën e të prekurve nga koronavirusi në Itali, dhe gati pesë herë më shumë se çdo rajon jugor. Në pjesën më të madhe, sistemet shëndetësore në jug, për fat të mirë, kanë përballuar presionit, të ndihmuar pjesërisht nga bllokimet agresive të qeverisë kombëtare dhe krijimi i reparteve të veçanta të izolimit në spitale për pacientët me Covid-19.

Por tani, ndërkohë që masat e karantinës po hiqen gradualisht, Italia do të detyrohet të përballet me disa realitete të vështira. Vendi fqinj do të duhet të adresojë më në fund pabarazitë themelore ekonomike dhe sociale që kanë favorizuar historikisht veriun e tij më të pasur. Nëse jo, ai mund të gjunjëzohen nga pesha e rëndë e kësaj përçarjeje, duke fuqizuar më tej forcat kriminale dhe korruptive që kanë pllakosur vendin për dekada të tëra.

Pandemia ka ekspozuar pabarazitë në sistemin e kujdesit shëndetësor në Ital. Il Mezzogiorno, siç quhet Jugu i Italisë, përbën një të tretën e popullsisë, por vetëm 22 për qind të PBB-së. Në të kundërt, të tre rajonet veriore, Lombardia, Veneto dhe Emilia-Romagna sigurojnë 40 për qind të prodhimit total ekonomik të vendit.

Hendeku për perspektivat ekonomike për italianët e jugut në krahasim me bashkatdhetarët e tyre në Veri është po aq i ashpër. Shumica e aplikuesve për ndihmë sociale vijnë nga jugu, ku papunësia shkoi në 18 për qind para pandemisë, krahasuar me 5.9 për qind në veri.

Kur bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor, këto pabarazi bëhen edhe më të dhimbshme”, thotë Dr. Giovanni Ianniello, kirurg dhe president i Komisionit Mjekësor në rajonin jugor të Campanias. Nga 8.8 për qind e PBB-së që Italia shpenzon për kujdesin shëndetësor, vetëm 6.5 për qind vijnë nga fondet publike, shumë më pak se vendet e tjera të pasura evropiane. Dhe këto fonde nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë. Në veri, shteti shpenzon afro 2,150 dollarë në vit për kujdesin shëndetësor për frymë, krahasuar me vetëm 1.700 dollarë në jug. Si rezultat, italianët e veriut, të cilët në përgjithësi janë më të pasur, gjithashtu marrin një kujdes suprem shëndetësor nga shteti.

Në 2005, qeveria italiane nisi një plan ambicioz për një ristrukturim të shërbimit kombëtar shëndetësor me qëllim të zvogëlimit të borxhit, shkurtimit të stafit dhe përmirësimit të kujdesit shëndetësor. Vite më vonë, gjashtë nga shtatë rajonet, sistemet shëndetësore të të cilëve janë duke kaluar ende nën këtë ristrukturim janë në jug. Synimet jopraktike dhe mungesa e burimeve ka bërë që shumë rajone jugore të mos kenë qenë në gjendje të përmbushin kërkesat e rrepta të planit. Pasoja, sipas Ianniello, “ka qenë një ulje tjetër e cilësisë së shëndetit publike të jugut”.

Kjo ka çuar në një rritje të italianëve që shkojnë në veri për të marrë trajtime të kujdesit shëndetësor, duke përkeqësuar problemin. Rajonet më të varfra jo vetëm që duhet të paguajnë më të pasurit për t’u kujdesur për këta të ashtuquajtur migrantë shëndetësorë, por ata gjithashtu humbasin mjekë, infermierë dhe personel mjekësor të vlefshëm që kërkojnë mundësi më të mira diku tjetër. Luca Bianchi, drejtoreshë e Shoqatës për Zhvillimin Industrial të Mezzogiorno, thotë se ky transferim i burimeve “ka forcuar sistemet që janë tashmë cilësore dhe po minojnë ato që janë më të dobëta”.

Italianët në të gjithë vendin tani do të duhet të bëjnë një zgjedhje midis ndarjes dhe solidaritetit. Pandemia nuk mund të mos ketë shkatërruar jugun ashtu siç kishte frikë Anelli, por ndryshimet në standardet e kujdesit midis rajoneve jugore janë ende një shqetësim i madh. Spitalet në Napoli janë pajisur për të përballuar pandeminë si ato në veri, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për spitalet në Kalabri ose Molise, të cilat kanë pasur mungesa të personelit dhe shtretërve të kujdesit shëndetësor.

Ianniello, nga ana e tij, thotë se këtë periudhë ka pasur një rritje të solidaritetit. “Të gjithë kanë dhënë trup dhe shpirt për të mbrojtur bashkëqytetarët tanë,” thotë ai. “Edhe pse ne vajtojmë për humbjen e kolegëve, ka një ndjenjë uniteti midis mjekëve në të gjithë vendin që na bën më të fortë.”

Kriza e shëndetit publik nuk ka kaluar ende plotësisht, por udhëheqësit politikë janë të shqetësuar për të ashtuquajturën “bombë sociale” që mund të shpërthejë në jug nëse rikuperimi pas pandemisë nuk vjen me ritmin e duhur. Në mars dhe në prill Jugu u përball me rritje të grabitjeve të supermarketeve dhe plaçkitjeve në rajonet jugore, disa prej të cilave paralajmëruan se mund të parashikonin “trazira”.

“Mënyra se si këto ngjarje janë raportuar, nën titujt sensacionalë, përkeqëson stereotipet që përshkruajnë italianët e Jugut si rebelë dhe kriminelë”, thotë Eleonora Bommarito, një antropologe nga Siçili. Padyshim që ka përjashtime, por “njerëzit në pjesën më të madhe i respektojnë rregullat, sepse të gjithë ndiejnë një ndjenjë të përgjegjësisë,” shton ajo.

Masat e marra nga Roma këtë periudhë kanë shtuar besimin midis italianëve në il Mezzogiorno. Qeveria ka ndarë rreth 433.5 milion dollarë kuponë ushqimor, së bashku me një shtesë prej 4.8 miliardë dollarësh ndihma. Vendimet erdhën si pjesë e një pakete shpëtimi prej 27 miliardë dollarësh të miratuar në mars, i cili përfshin ngrirjen e pushimeve nga puna dhe pagesa prej 650 eurosh për të vetëpunësuarit. Paketa shtoi popullaritetin e kryeministrit Giuseppe Conte nga 15 prill në 65 për qind.

Megjithatë, disa rajone kanë kritikuar përhapjen kaotike të programeve të ndihmës, të tilla si vonesat në disbursimet financiare. Po aq shqetësues është edhe fakti se 20 për qind e ekonomisë jugore italiane është informale, që do të thotë një numër i konsiderueshëm i njerëzve nuk kualifikohen për marrjen e ndihmave, duke i privuar më tej.

“Mafia mbizotëron në disa zona të ashpra me forcë, duke gërryer ekonominë legjitime dhe duke zgjeruar kufijtë e saj të ndikimit. Kriza ekonomike e sjellë nga pandemia mund të jetë një mundësi tjetër që mafia të forcojë arritjet e saj.

Një kontratë e re sociale

Kjo nuk do të thotë se italianët e jugut janë pafuqishëm apo në mëshirën e forcave të errëta. Megjithatë, jugu ka një rrezik shumë më të madh në planin afatgjatë për shkak të problemeve që lidhen me informalitetin, korrupsionin dhe varfërinë. Bizneset konkurruese por financiarisht të rrezikuara në jug do të kenë nevojë për mbështetje të shtetit për të qëndruar në këmbë.

Por edhe ndërhyrjet vitale ekonomike do të zgjidhnin vetëm një pjesë të problemit. Për Bianchi, rimëkëmbja pas koronavirusit duhet të jetë një “mundësi për restaurim kombëtar” për të kapërcyer pabarazitë e vazhdueshme, në arsim dhe shëndet, duke ngritur shtyllat kryesore të një kontrate të re sociale.

Rritja e standardeve të arsimit është një çështje po aq shqetësuese dhe do të kërkojë zgjidhje si të mëdha ashtu edhe të vogla, nga ndërtimi i shkollave më të mira deri tek përmirësimi i aftësisë së mësuesve dhe zgjerimi i programeve arsimore.

Sa i përket shëndetit, Ianniello, thotë se mjekët në jug të Italisë bëjnë gjithçka munden me burimet që kanë, por që duhen reforma më të thella. “Ne kemi mësuar se kemi nevojë për një sistem të vetëm të drejtuar nga qeveria qendrore që siguron shpërndarje të barabartë të burimeve. Kjo gjithashtu nënkupton transparencë dhe përgjegjësi më të madhe kur gjërat shkojnë keq”, thotë ai.

Po ashtu Jugu ka nevojë urgjente për më shumë investime në infrastrukturën sociale. Kjo kërkon zgjidhjen e problemeve të vjetra si përmirësimi i transportit nga veriu në jug, vazhdon me përmirësimin e lidhjeve të internetit me shpejtësi të lartë dhe forcimin e lidhjeve mes jugut me motorin prodhues të veriut.

Sidoqoftë, për të realizuar të gjitha këto, Italia e Jugut do të duhet të lirohet përfundimisht nga kontrollin e armiqve të saj nën hije. Vrasjeve politike në vitet 1980 dhe 1990 i kanë mësuar il Mezzogiorno se mënyra më e mirë për të luftuar ndikimin e mafies është të flasim për të. Këto strategji janë bërë më të rëndësishme pas pandemisë.

Shoqëria civile ka rritur gjithashtu presionin, duke ndihmuar bizneset që kanë rënë viktimë e kriminalitetit. Ata kanë hartuar programe të reja për të mbledhur të dhëna dhe informacione mbi mafian për t’i shpërndarë tek autoritetet. Dhe një seri e re konferencash video në mbarë vendin po përpiqen t’u mësojnë italianëve se si të ekspozojnë, monitorojnë dhe rezistojnë ndaj përpjekjeve të krimit të organizuar për të shfrytëzuar pandeminë.

Të gjitha këto ndryshime do të rikonfiguronin rrënjësisht Italinë e Jugut dhe do të ruanin frymën e solidaritetit që është krijuar nga pandemia.

Në fund të fundit, siç thotë Bommarito, pandemia e koronavirusit ka pasur një efekt disi barazues. “Ne kemi mësuar se gjërat mund të jenë po aq të këqija në veri, sa në jug.”/Burimi: World Politics Review. Solli në shqip: Gazeta “Si”

*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.*

Më Shumë