Futboll

Joselu eliminon Italinë, Spanja finalistja e dytë e Ligës së Kombeve

Gazeta Si – Goli i Joselu i ka dhuruar finalen e Ligës së Kombeve Spanjës, që ka mundur 2-1 Italinë dhe tani përballet me Kroacinë. Skuadra e Mançinit luan për vendin e 3-të me Holandën.

Spanja është finalistja e dytë e Ligës së Kombeve. Iberikët e drejtuar nga trajneri Dela Fuente fituan 2-1 gjysmëfinalen e dytë dhe do të diskutojnë trofeun ditën e diel kundër Kroacisë së Luka Modriç.

Ndeshja e luajtur në Enschede u vendos nga goli i Joselu. Italia e nisi shumë keq ndeshjen, ku një gabim i Bonuçit vetëm pas 4 minutash solli golin e parë të spanjollëve me Jeremi Pino. Italianët barazuan në minutën e 10-të me një penallti të fituar nga Xaniolo dhe të kthyer në gol nga Imobile.

Vetëm 2 minuta para fundit të ndeshjes Joselu gjeti goditjen fituese, që çoi Spanjën në finale. Liga e Kombeve nuk ka përfunduar ende as për djemtë e Mançinit, pasi të dielën pasdite do të ndeshen me Holandën për vendin e 3-të në edicionin e 3-të të këtij kompeticioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë