Lajme

Jo vetëm Teatri! “Fusha” kap tenderin 400 mln lekë për Bovillën

Mentor Kasa - Kompania “Fusha” është përfolur muajt e fundit pas ofertës që paraqiti për ndërtimin e Teatrit Kombëtar. Asaj iu dha me ligj të drejtpërdrejtë tenderi për prishjen e godinës ekzistuese dhe ndërtimin e teatrit të ri së bashku me disa godina shumëkatëshe në truallin që publik.

Por, ligji u kthye nga Presidenca me argumentimin se ai shkelte barazinë në garë, mangësi që u gjet edhe nga Komisioni Europian. Ligji u amendua nga shumica dhe u dorëzua sërish për dekretim në Presidencë. Presidenti e riktheu edhe njëherë për shqyrtim nga Kuvendi, por dekreti i tij u rrëzua dhe ligji kaloi.

E gjithë “loja” e nisur shënjestroi edhe politikisht kompaninë “Fusha”. Opozita thotë se kjo kompani po favorizohet nga mazhoranca, nisur edhe nga numri i tenderave që ajo ka fituar brenda një kohe të shkurtër.

Pavarësisht akuzave, kompania “Fusha” vazhdon që të fitojë tendera me vlera të konsiderueshme parash. I fundit është tenderi për një shtesë impianti të përpunimit të ujit në liqenin e Bovillës. Impianti do të mundësojë në fazën e parë të zbatimit 600 litra për sekondë dhe kur të jetë realizuar plotësisht 1800 litra ujë për sekondë.

Autoriteti prokurues është Ujësjellës-Kanalizime i Tiranës. Fondi limit është 420 milionë lek. Në garë morën pjesë pesë kompani, mes të cilave edhe kompania “Fusha”. Pikërisht kjo e fundit me një ofertë prej 400 milionë lekësh u shpall fituese përballë kompanive “Ed Konstruksion”, “Hastoçi”, “Fat Group” dhe “Vëllezërit Hysa”.

Faksimile e njoftimit te shpalljes fituese te kompanise "Fusha"

Dy kompanitë “Ed Konstruksion” dhe “Hastoçi” u penalizuan për mungesë dokumentacioni dhe kapacitetesh për të ndërtuar këtë impiant, ndërsa dy kompanitë e tjera nuk kanë paraqitur as dokumentacion dhe as ofertë.

Fituesi është shpallur më 17 shtator dhe kontrata është lidhur më 23 tetor. Sipas parashikimeve, kohëzgjatja e punimeve është 10 muaj.

Impianti është pjesë e planit të Bashkisë së Tiranës për të rritur kapacitetet e furnizimit me ujë të qytetarëve. Pikërisht këto investime dhe premtimi për ujë 24 orë në rubineta u përdorën nga kryebashkiaku Erion Veliaj për të justifikuar rritjen e çmimit të ujit me 20 lek.

Aktivitetet e kompanisë “Fusha” janë të përqëndruara kryesisht në ndërtim dhe rikonstruksion rrugësh, shkollash, institucionesh qeveritare, ujësjellësash, por edhe në shërbime si pastrimi dhe mirëmbajtja në kryeqytet.

Nga një kontroll i thjeshtë në Agjencinë Kombëtare të Prokurimeve rezulton se gama e tenderave të fituara prej kësaj kompanie është e gjerë dhe historiku i transaksioneve të kryera nga Thesari i Shtetit për llogari të kësaj kompanie, sipas Open Data Albania shkon mbi 5 miliardë lek të reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë