Gazeta Si - Apeli i GJKKO-së ka pranuar kërkesën e SPAK, për të caktuar një masë të dytë sigurie “arresti me burg” për Alqi Bllakon për inceneratorin e Elbasanit.
Për ish-deputetin socialist, i arrestuar më herët për përfshirjen e tij në inceneratorin e Fierit, këtë të enjte u mor masa e dytë "arrest me burg" edhe për atë të Elbasanit.
Në fakt, SPAK iu drejtua gjykatës me kërkesë për një masë sigurie ndaj Bllakos, dy javë më parë, por u refuzua nga GJKKO.
LEXO EDHE:
SPAK kërkoi rikthimin në qeli të Alqi Bllakos, Apeli i GJKKO vendos më 9 nëntor
Hetimet e SPAK-ut për inceneratorin e Elbasanit kanë rënduar pozitat e ish deputetit Aqi Bllako, ku përveç akuzës së ‘shpërdorimit të detyrë’, kryer në bashkëpunim, prokuroria e Posaçme, ka ngritur ndaj tij edhe akuzën e korrupsionit.
Bllako akuzohet tashmë jo vetëm “për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim”, por edhe për “korrupsion”, duke bërë që pozitat e tij para trupës gjykuese të rëndohen edhe më shumë.
Para disa ditësh Bllako u rikthye sërish në qeli, pas disa provave të tjera, për të cilat SPAK pretendon që ish-deputeti duhet të qëndrojë “pas hekurave”.
Burimet bëjnë me dije se pas sekuestrimit të kompjuterit të ish deputetit pas marrjes së tij si i pandehur, janë gjendur prova që e implikojnë atë në korrupsion të zyrtarëve të lartë. Sipas SPAK.
Ish-deputeti dyshohet se ka shkëmbyer e-maile nga adresa e tij private me administratorin e kompanisë “Alb tek energy”, Klodian Zoton, duke e informuar këtë të fundit mbi procedurën e dhënies me koncension të Inceneratorit të Elbasanit.
Referuar dosjes, ai i përcillte Zotos, e-mailet e zyrtarëve të ministrisë së Mjedisit mbi procedurat që duhet të ndiqte për të fituar të drejtën e ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit.
Nga ana tjetër biznesmeni Mirel Mërtiri vijon të jetë i shpallur në kërkim, pavarësisht përfshirjes së emrit të tij në të ashtuquajturën “afera e inceneratorëve”.
Ndërkohë, 5 persona, mes tyre zv.presidenti i FSHF-së Arben Dervishaj, u arrestuan me urdhër të SPAK-ut në lidhje me këtë aferë, të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Hetimet në dy dosjet që po hetohen koncensionet e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit kanë perfunduar, teksa për këtë të fundit SPAK është duke përgatitur kërkesën për gjykimin e Lefter Kokës dhe zyrtarëve të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.