Futboll

Jo vetëm Mesi e Benzema, Arabia Saudite kërkon mbi 10 yje të futbollit botëror

Gazeta Si – Një listë me më shumë se 10 yje të futbollit botëror për klubet e ligës së Arabisë Saudite, me Lionel Mesin dhe Karim Benzema në krye. Sipas ‘Afp’, një burim që është në dijeni të situatës, ka bërë të ditur se objektivat janë emra, si Luka Modriç, Hugo Loris, Serxho Ramos, Zhordi Alba, Serxho Buskets, N'Golo Kante', Angel Di Maria dhe Roberto Firmino.

Autoritetet saudite janë "në kontakt me më shumë se 10 lojtarë, shumica e të cilëve kanë fituar kupën e Botës dhe Ligën e Kampionëve, për t’iu bashkuar kampionatit saudit sezonin e ardhshëm", - ka thënë ky burim.

Edhe Kante drejt Arabisë Saudite. Gazeta Si, 6 qershor 2023

"Përveç ofertave të mira financiare, këta lojtarë do të luajnë në një kampionat kompetitiv", - pohon më tej burimi, duke shtuar se objektivi është që marrëveshjet të mbyllen para se të nisë sezoni i ri më 11 gusht.

Një funksionar i qeverisë saudite është shprehur gjithashtu se autoritetet janë duke mbyllur negociatat me lojtarë të nivelit botëror. Kristiano Ronaldo do të ketë së shpejti 'rivalë' me peshë në kampionatin arab, ku po merr pagesën më të lartë në historinë e futbollit, deri në 200 milionë euro në sezon.

Sipas mediave arabe, edhe për Karim Benzema është bërë e njëjta ofertë, kurse për Lionel Mesin flitet për shifra më të larta tek Al-Hilal. Të gjithë lojtarët e përmendur më sipër janë në fundin e karrierës. Me përjashtim të Loris, që ka edhe një vit kontratë, të gjithë janë në fund kontrate.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë