Shendet

Jo vetëm mbi 60 vjeç, por edhe profesionet e riskut. Rreth 600 mijë persona do të marrin dozën e tretë në Shqipëri

Prej disa ditësh po diskutohet që të aplikohet doza e tretë edhe në vendin tonë, në mënyrë që personat e rriskuar nga Covid-19 të kenë një imunitet më të lartë.
Gazetasi.al ka mësuar më herët që doza e tretë do të aplikohet për personat +60 vjeç dhe ata që kanë probleme shëndetësore për të cilët nuk do të ketë përcaktim moshe. Por Gazetasi.al ka mësuar se pjesë e personave që do të marrin dozën e tretë do të jenë edhe punonjësit e profesioneve të rriskut.
Burime të Gazetasi.al treguan se janë përafërsisht rreth 600.000 mijë individë që i përkasin fashës që do të marrin dozën e tretë, “ndërsa si vaksine do i lihet në dorë mjekut të familjes, por sigurisht edhe këtë vit të kondicionuar në varësi se çfarë vaksine ka në dispozicion, por po mendohet që të përdoren vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca të cilat janë të miratuara nga EMA dhe FDA.
Eksperti i Shëndetit Publik në ISHP, Alban Ylli i tha Gazetasi.al se rekomandimi në vendet ku po aplikohet doza e tretë është që të jetë e njëjtë me dy dozat e para.
“Në raste të veçanta mundet që doza e tretë të jetë e ndryshme nga dy dozat e para”, shtoi eksperti.
Deri më tani në vendin tonë është vaksinuar rreth 30% e popullatës target me dy doza. Më herët gjatë mbledhjes së komisionit të shëndetësisë Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka shpjeguar se qeveria është e gatshme të aplikojë dozën e tretë dhe vaksinimin e fëmijëve kur të këshillohet nga ekspertët e Komitetit Teknik.
"Tani kemi siguruar mbi 2 milion doza vaksine, deri në fund të vitit arrijmë 3 milion doza dhe deri vitin e ardhshëm janë 5 milion doza vaksine të siguruara. Pra ne jo vetëm kemi siguruar 4.4 milion doza për popullatën target, por deri vitin e ardhshëm do sigurojmë mbi 5 milion vaksina, për të vijuar edhe me skenarët e tjerë” tha Manastirliu.
Ndërkaq deri më tani vaksinat e administruara në popullatë janë përkatësisht, 86 %- Pfizer, 80%-Sinovac, 94%-Astra Zeneca dhe 89%- Sputnik.

Izraeli është vendi i parë në botë që nisi aplikimin e dozës së tretë të vaksinës gjatë mesit të muajit gusht të këtij viti për personat 60 vjeç dhe ata që kanë kaluar 6 muaj vaksinimi total me dy doza. Më pas vijuan edhe vende të tjera si Britania e Madhe e cila e nisi dozën e tretë në 6 shtator. Franca  ishte vendi i parë në Bashkimin Europian që mori vendimin për të aplikuar dozën e tretë tek personat mbi 65 vjeç dhe ata me imunitet të dobët. Të njëjtin shembull ndoqi Gjermania. Ndërsa për vendet e Ballkanit, vendi i parë që nisi aplikimin e dozës së tretë ishte Serbia që prej 16 gushtit e cila e përcaktoi dozën e tretë për personat 70 vjeç dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe social.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë