Futboll

Jo vetëm Mbape, talentet e Botërorit që kanë ndezur merkaton e verës!

Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo tashmë janë e shkuara. E ardhmja është në këmbët e Kilian Mbape, por jo vetëm. Në “Rusi 2018” janë disa lojtarë të rinj, të cilët kanë ndezur merkaton verore dhe po monitorohen nga klubet më të mëdha europiane. Disa vazhdojnë ende aventurën e tyre në këtë kompeticion, disa janë kthyer në shtëpi. Ju prezantojmë më të spikaturit, ata që kanë vënë në garë gjysmën e Europës:

Kilian Mbape

Botërori e ka kurorëzuar, të paktën deri tani, si fenomenin e futbollit botëror. Sulmuesi 20-vjeçar është një miks mes Ronaldos dhe Henrisë, edhe pse Maradonës i kujton Kanixhën. Megjithatë, më mirë ta konsiderojmë thjesht Mbape, një lojtar me karakteristika unike. Vetëm Pele ka bërë më mirë se ai në një Botëror në moshën e tij. Reali është i çmendur pas tij dhe e sheh si protagonistin e epokës së re galaktike post-Ronaldo.

Sulmjesi i Francës, Mbape

Aleksandër Golovin

Ylli i të zotëve të shtëpisë, Aleksandër Golovin, është njëkohësisht edhe shpresa më e madhe e Rusisë për të shkur sa më larg në këtë Botëror. E majta e tij është  “arma” më e fortë e skuadrës së trajneri Çerçesov. Mesfushori është prej katër vitesh titullar i padiskutueshëm i CSKA-së. Kualitet dhe teknikë e lartë. Një investim, që Juventusi po përpiqet ta bëjë prej kohësh, por jo vetëm Juventusi, edhe Çelsi apo Arsenali po bëjnë gjithçka për ta marrë. Abramoviç ka prioritet për ta bërë talentin rus lojtarin më të ri të Çelsit.

Mesfushori i Rusisë, Golovin

Hirving Lozano

Një sulmues anësor me kualitet të lartë. Hirving Lozano, lojtari i talentuar i PSV-së, luan pa problem në të dy krahët e sulmit. Numrat e tij flasin qartë: 19 gola dhe 11 asiste në kampionatin holandez. Ende nuk i ka mbushur 23 vjeç dhe ka qaenë vendimtar në lojën e Meksikës, që është ndalur nga Brazili në Botëror. Emri i Lozanos figuron në listën e blerjeve të gjysmës së klubeve të mëdha të Europës.

Sulmuesi meksikan,Lozano

Pione Sisto

Lojtari i ri i Selta Vigos dhe Danimarkës, Pione Sisto, është një nga lojtarët më interesantë në qarkullim. Ka fizikun e një qendërsulmuesi, por këmbët e tij janë si të një trekuartisti. Me 10 asistet e tij në kampionatin e fundit spanjoll, danezi duket gati për kapërcimin e madh. Luajti mirë edhe në Botëror, ndaj dhe është në shënjestër të shumë klubeve, ndërkohë që edhe Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, e ndjek prej kohësh.

Pione Sisto në ndeshjen ndaj Kroacisë

Vilmar Barrios

Një mesfushori mjaft i talentuar kolumbiani Vilmar Barrios, i cili madje krahasohet edhe me Kasemiron e Brazilit dhe të Realit të Madrdit. Titullar i padiskutueshëm te Boka Zhuniors dhe tani është plotësisht gati të luajë për një klub të madh në Europë. Edhe ai është mundur ta shfrytëzojë sa më mirë vitrinën e Botërorit për të firmosur kontratën e së ardhmes. Është 24 vjeç ka fituar shumë përvojë.

Barrios në dyluftim me Stirling

Huang Hi Çan

Sulmuesi korean i Red Bull Salcburgut, Huang Hi Çan, ra në sy në ndeshjet e Europa League, duke i udhëhequr austriakët deri në gjysmëfinale. 22-vjeçari korean ka një të ardhme të sigurt dhe në gjurmët e ti është vënë prej kohësh Totenhemi. Titullar në formacionin e Koresë së Jugut dhe një nga lojtarët më të mirë të saj. Një investim i sigurt.

Sulmuesi korean, Huang


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë