Ngjarje

Jo vetëm Gramshi, në mes të pandemisë ‘spiunia’ ruse hyri e qetë te bazat në Gjadër dhe Porto Palermo (Foto)

Nga Gazeta Si - Svetlana Timofeeva, 33-vjeçarja ruse e arrestuar nga autoritetet shqiptare dhe e akuzuar për spiunazh së bashku me një shtetas tjetër rus dhe një ukrainas ka hyrë lirisht në të shkuarën në bazat ushtarake shqiptare, duke fotografuar, madje edhe duke përshkruar për ndjekësit e vet në rrjetet sociale detaje të sigurisë së tyre.

Në dy raste, rusja që në Instagram poston nën emrin Lana Sator ka hyrë në bazën ajrore të Gjadrit dhe në bazën e nëndetëseve në Porto Palermo në qershor të 2020, duke kaluar me radhë të gjithë filtrat e sigurisë, që nga ata të vendosur për parandalimin e përhapjes së Covid, e deri te siguria e bazës.

“Eksplorimi i këtyre bazave mund të jetë i rrezikshëm, sepse ka roje sigurie në territorin e bazës ajrore, por sapo të hyni brenda në bunker do të jeni të sigurtë”, shkruan rusja në përshkrimin e serisë së fotove që publikon.

Siç shihet nga këto foto, 33-vjeçarja e akuzuar si agjente ruse jo vetëm që ka hyrë brenda në bazën ajrore të Gjadrit, ku ruhen reliket e aviacionit luftarak shqiptar, por ka pasur kohë që edhe të shkrepë foto artistike, të mbikëqyrë të gjithë sigurinë e tuneleve nëntokësore, madje edhe të fotografojë me dronë pjesën e avionëve luftarakë që ndodhen jashtë tuneleve.

“Një bunker për avionët luftarakë i mrekullueshëm. Kopje kineze të avionëve MIG sovjetikë që ndodhen brenda në tunelin në formë U-je të ngritur në një kodër. Nuk janë në funksion dhe janë të çarmatosur. Forcat ajrore shqiptare nuk janë në gjendje që t’i përdorin, rregullojnë, apo riciklojnë këta avionë. Ka edhe kuti me motorë avionësh të papërdorur, disa makina dhe mitralozë. Këta bunkerë kanë dyer përforcimi speciale, me një derë gjigante dhe një derë të vogël në krye për të kaluar bishti i avionëve luftarakë”, shkruan 33-vjeçarja ruse.

Edhe në Porto Palermo, ashtu si në Gjadër bën një përshkrim të bazës.

“Baza nëntokësore e Shqipërisë, njohur si baza e nëndetëseve në Porto Palermo. Disa eksplorues preferojnë të besojnë se nuk ishte ndërtuar për nëndetësore, por për anije të vogla luftarake. Tunelet nëntokësore shkojnë në thellësi deri në 650 metra dhe nuk janë përfunduar. Imagjinoni se si do të dukeshin kur të përfundonin”, shkruan ajo.

Ashtu si në Gjadër, edhe këtu e dyshuara si spiune ruse gjen gjurmët kineze të ndërtimit të bazës.

“Diktatori komunist shqiptar prishi miqësinë me Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë dhe i vetmi shtet që bashkëpunoi ishte Kina. Për këtë arsye, bunkerët e mëdhenj ngjasojnë me ata kinezë. Ata jo vetëm që i shitën kopje të armatimeve ruse Shqipërisë, por edhe dizenjuan projektet dhe ndihmuan në ndërtimin e bunkerëve me dyer të përforcuara”, thotë Svetlana Timofeeva.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë