Dosje

Antiterrori kthehet në Uzinë, dyshohet dhe për një të katërt

Nga Gazeta ''Si"-Antiterrori është rikthyer sërish herët në mëngjes në Uzinën Mekanike të Gramshit, aty ku një ditë më parë ndodhi përleshja mes dy ushtarakëve dhe rusit tanimë të arrestuar.

“Po kryhen këqyrje të nivelit tepër të lartë”, pohoi një ushtarak për gazetën SI i cili është i bindur se rusët dhe ukrainasja e arrestuar nuk janë turistë të zakonshëm dhe se me shumë mundësi jetën virtuale e përdorin për kamuflazh.

Gazetës Si nuk ju dhanë detaje se çfarë këqyrjesh po kryhen gjatë kësaj të diele në uzinën e Gramshit, megjithëse e njëjta gjë po ndodh edhe në Drejtorinë Vendore të Elbasanit, ku zyrtarët më të lartë të Policisë së Shtetit, përfshi drejtorin e hetimit kombëtar Neritan Nallbati dhe zyrtarë të Shërbimit Informativ Ushtarak dhe Shtetëror gjenden në policinë e këtij qyteti.

Ekspertët të tjerë po kryejnë këqyrjen e sendeve të sekuestruara midis tyre edhe një dron që ju gjet rusit së bashku me celësa anglezë, aparatë fotografik dhe kaçavida. Edhe njëherë autoritetet kanë marrë në pyetje të gjithë ushtarakët që gjendeshin në detyrë ditën e shtunë dhe protokollin që është ndjekur ndaj këtij incidenti të rëndë, që konsiderohet paraprakisht se ka cenuar sigurinë kombëtare.

“Ne nuk mund të themi nëse do të mblidhet apo jo Këshilli i Sigurisë Kombëtare”, u shpreh një nga ushtarakët e Uzinës së Gramshit .

Gazeta "Si" mëson ekskluzivisht se njëri nga ushtarët, Aldi Bici, i moshës 37 vjeç, me gradën tetar, shërben si ushtarak në këtë uzinë prej 14 vitesh. Ai është i martuar dhe baba i dy fëmijëve dhe ndaj tij rusi i arrestuar teksa po përpiqej ta neutralizonte i hodhi në sy spraj kimik. Ushtari tjetër Ardian Caka, i moshës 30 vjeç ka katër vjet që ka hyrë në ushtri dhe shërben në Uzinën Mekanike të Gramshit. Të dy ata po trajtohen në spital.

Një grup pune që po merret me çështjen do të vendosë se për çfarë krimi do t’i referojë në Prokurorinë e Elbasanit tre të arrestuarit, ndërkohë që burimet e gazetës Si pranojnë se ka dyshime se në grupin e të dyshuarve që prezantohen si blogerë ka mundësi të ketë qenë dhe një person i katërt.

Të paktën këtë e kanë thënë banorët e zonës të pyetur mbi prezencën e të huajve dhe xhirot e tyre të çuditshme para pak ditëve që u raportuan pranë SHIU, Shërbimit Informativ Ushtarak, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Të dyshuarit këmbëngulin se janë blogerë dhe të apasionuar pas uzinave të braktisura, por baza e Gramshit nuk ështe e braktisur dhe për më tepër thonë burimet e antiterrorit ka shenja të dallueshme që është zonë ushtarake, që nuk duhet të kalosh.

“Veprimet e tyre janë dukshëm të dyshimta dhe jo veprime të apasionuarish”, tha një tjetër zyrtar ushtarak për gazetën Si. Në kushte anonimiteti ai shtoi se meqënëse uzina është e vështirë të gjendet, të dyshuarit kanë kryer një punë zbuluese këmbëngulëse.

“Për më tepër aty hyri vetëm njëri prej tyre, ndërsa të tjerët qëndruan me mjet jashtë zonës ushtarake, kur ata e kuptuan që shoku i tyre u kap, u larguan me shpejtësi dhe me manovra të shpejta derisa u kapën në Cërrik”, mbyll ushtaraku.

Megjithëse ka patur disa njoftime përmes What’s App , ende nuk ka një qëndrim të qartë zyrtar mbi akuzat që do të ngarkohen ndaj tre të arrestuarve, nëse ka patur apo jo një person të katërt, dhe përse nuk reaguan strukturat kur ishin vënë në dijeni pak ditë më parë për xhirot e çuditshme të të panjohurve?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë