Nga zërat në Kosovë kundër Shengenit Ballkanik artikulohet edhe një ide minore se Shqipëria po favorizon ekonomikisht Serbinë për t’i krijuar asaj një rrugë kalimi drejt detit në perëndim.
Kosova përmes taksës doganore i ka mbyllur tregjet e saj për mallrat serbe dhe po e përdor këtë instrument presioni për të lehtësuar poltikisht dialogun dhe njohjen nga Beogradi. Shengeni ballkanik po shikohet si bypassi i këtyre synimeve dhe ka nisur të tingëllojë si tradhti e Shqipërisë, në kontekstin aktual. Vetë Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, frymëzuesi i taksës është shprehur se po i hapet rrugë ndikimit rus dhe kinez.
Por mesa duket në Prishtinë e harruan shpejt gëzimin e biznesit vendas, që e mirëpriti lajmin e pak javëve më parë për nisjet e punimeve nga Serbia për ndërtimin e autostradës Nish-Merdarë, që do të lidhë dy shtetet me një infrastrukturë moderne, duke nisur nga fakti që Kosova thuajse e ka përfunduar këtë autostradë nga ana e saj e kufirit.
Autostrada është pjesë e rrjetit strategjik infrastrukturor që synohet të ngrihet në Ballkanin Perëndimor përmes të ashtuquajturit “Procesi i Berlinit”. Për këtë qëllim, Komisioni Europian ka premtuar 1.1 miliardë euro.
Politika e Prishtinës, të paktën jo shumë kohë më parë ka qenë mjaft optimiste se rruga Morinë-Prishtinë-Merdarë do t’i jepte një tjetër hov zhvillimit të vendit. Në 2012, kur projekti ishte ende në kilometrat e para të realizimit të tij, Hashim Thaçi, në atë kohë Kryeminister, deklaronte se rruga do të hapte vende të reja pune, do të rriste mirëqënien sociale dhe e projektonte Kosovën një vend europian.
Ndërkohë, një vit më parë, kur prezantohej projekti i autostradës Prishtine-Merdare, ministri i Transportit, Pal Lekaj deklaronte se rruga e lidhte Kosovën me rajonin.
“Kjo rrugë, ky korridor në Kosovë, kalon përmes Vërmicës kufirit me Shqipërinë, dhe në Merdarë në kufirin me Serbinë me një gjatësi totale prej 128 kilometra. Një pjesë e madhe rreth 100 kilometra tashmë ka përfunduar dhe kjo siguron qasjen e Kosovës me detin Adriatik dhe Detin e Zi. Kështu e përmirësojmë lidhjen me vendet tjera të Ballkanit dhe korridoret europiane të transportit”, deklaronte ai.
Siç lehtësisht mund të kuptohet jo Shengeni Ballkanik, por mungesa e Kosovës në këtë nismë rrezikon që të paktën për momentin, të mos e çlirojë plotësisht potencialin dhe hovin që kjo rrugë mund t’i japë zhvillimit të vendit. Pra, një investim dhe një qëllim strategjik i parealizuar që nuk po përfill, as paratë e shpenzuara nga arka e varfër shqiptarëve të Kosovës. Ironia është se e gjithë rruga është thuajse e ndërtuar në anën e Kosovës, ndërsa në Serbi ndërtimi ka nisur vetëm këtë vit dhe pritet që të zgjasin për disa vite.
Megjithatë është e kuptueshme qe nuk është vetëm investimi si rrugë, por marrëdhënia që vendosin shtete përgjatë aksit të kësaj rruge që e bëjnë atë të funksionojë. Biznesmenët dhe përfaqësues të odave ekonomike në Prishtinë thonë se që kjo rrugë të shoqërohet me një përmirësim të klimës së biznesit, duke nxitur punësim dhe rritjen ekonomike për Kosovën, ajo duhet të shoqërohet me heqjen e barrierave politike dhe ekonomike që Serbia aplikon ndaj Kosovës.
“Kemi shumë barriera që kryesisht e pengojnë tregtinë, sidomos eksportin e produkteve tona në tregjet evropiane. Kjo rrugë do të ishte transit i rëndësishëm, mirëpo nuk mund të ketë rol ekonomik nëse nuk hiqen pengesat që ekzistojnë me Serbinë”, deklaronte për Radion Europa e Lirë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.
Pikërisht për këto arsye a nuk është Shengeni Ballkanik me Kosovën brenda një mundësi e mirë?! Ndryshe, pse e duan rrugën që të çon nga Prishtina në Beograd në njërin krah e në Tiranë në krahun tjetër?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.