Politike

“Jo negociata me Shqipërinë”. Misioni grek në Gjermani

Greqia është futur “zyrtarisht” në listën e vendeve skeptike sa i takon hapjes së bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias konfirmoi paralajmërimin e dhënë më herët nga Kryeministri Qiriakos Mitsotaqis.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Ta Nea”, kryediplomati grek vlerësoi përmirësimin e raporteve mes dy vendeve, por foli me rezerva sa i përket respektimit të detyrimeve të palës shqiptare sa u takon të drejtave të minoritetit grek.

“Përfitimet dypalëshe nga përmirësimi i marrëdhënieve bilaterale janë të dukshme. Por, Shqipëria ende nuk po arrin të përmbushë detyrimet e saj në lidhje me pakicat dhe të drejtat e pronës të minoritetit grek”, deklaroi ai.

Këtë shqetësim, Athina pritet ta ngrejë në Berlin këtë të hënë. Nikos Dendias do të takohet me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas dhe në tryezën e bisedimeve janë edhe hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Pavarësisht rezervave dhe kritikave që ka shfaqur ndaj marrëveshjes së Prespës për çështjen e emrit, për Maqedoninë e Veriut qeveria konservatore greke nuk ka sinjalizuar bllokimin e tyre, ndaj me interes do të jetë biseda mes dy kryediplomatëve për Shqipërinë.

Gjermania vetë pritet që të japë një “Po” me kushte, ndërsa Greqia ka paralajmëruar se kërkon veprime konkrete nga ana e Tiranës për respektimin e minoritetit grek, në të kundërt kërcënon me bllokim të nisjes së bisedimeve të anëtarësimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë