Ngjarje

“Jo mësim online!”; Studentët i kthehen përsëri Ministrisë së Arsimit

"Jam kundër mësimi online sepse ne e kaluam një fazë online e nuk jemi të kënaqur sepse s’kemi marrë qartësimet e duhura për mësimin. Unë jam për mjekësi, infermieri të përgjithshme dhe mjekësia bazën kryesore ka praktikën e pa praktikë ne jemi kot. Prindërit tanë punojnë lloj-lloj punësh për të na sjellë në shkollë, që të na ndihmojnë të paguajmë qiratë e konviktin. Është djersa e prindërve tanë dhe nuk po na i jep askush tjetër dhe duam patjetër të vazhdojmë mësim në auditor sepse na ndihmon më shumë mësimi i tillë". Kjo ishte Erinda, një infermiere e ardhshme e cila bërtiste me shumë forcë kundër mësimit online, sot në protestën e studentëve para kangjellave të Ministrisë së Arsimit.
Së bashku me një grup shoqesh e duke nxitur edhe turmën me brohoritjen e saj, Erinda tregon për Gazetën "Si" se është në protestë për të vijuar mësimin në auditore. Ajo shpjegon se vitin e dytë kishin tre javë praktikë, por shkuan vetëm një ditë nëpër spitale dhe më pas u izoluan e nuk shkuan më kurrë në spital; e pa ndihmën e spitalit nuk mund të jetë një infermiere në të ardhmen.


Por studentët më të shumtë përpara Ministrisë së Arsimit Rinisë dhe Sporteve, janë nga Fakulteti i Drejtësisë, e të gjithë njëzëri brohorasin se janë kundër mësimit online, por edhe më shumë kundër pagesës së tarifës shkollore kur ata nuk do të jenë në auditorë. Në protestë dukej qartë se pakënaqësia shtynte edhe entuziazmin e studentëve, që ishin deri diku të shumtë në numër. Përpos thirrjeve për kërkesat studentët ftonin edhe të tjerët që t’i bashkohen kësaj proteste, e cila sipas tyre do të zgjasë. Ata thonë se mësimi online nuk do të realizohet as një javë e jo më një vit.

Të shkujdesur dhe pa asnjë lloj frike nga Covid-19, studentët kërkonin një zgjidhje të menjëhershme dhe e tregonin nga thirrjet e tyre se pandemia ishte gjëja e fundit për të cilën po mendonin. Ata i trembeshin diçkaje më të keqe që e quanin “pandemia e injorancës”. Mes studentëve kishte edhe efektivë të Policisë Bashkiake të cilët u kujdesën për trafikun në “Rrugën e Durrësit”, e ndërkohë këshillonin studentët të shmangnin bllokimin e rrugës.
Një tjetër grup studentësh nga Fakulteti i Drejtësisë i thanë Gazetës “Si” se shumica kanë paguar dy muaj paradhënie të qirave për shkak se pronarët nuk kishin besim, e kjo për shkak të gjendjes.
“Me këtë vendim dy ditë përpara fillimit të mësimit, ne nuk mund të marrim asgjë mbrapsht. Gjithashtu, mësimi online është një dështim. Ne jemi në vit të tretë bachelor dhe nuk mund ta bëjmë diplomimin online sepse e pamë sa funksionoi mësimi online, që nuk është efektivë aspak dhe jo të gjithë kanë mundësinë e aksesimit,” u shprehën studentët.
Ndërkohë një vajzë tjetër e cila nuk do të tregojë identitetin e saj, i tha Gazetës “Si” se proteston që mësimi të vijojë normalisht dhe është absurde që studentët nuk e dinin këtë gjë më përpara. Me një pankartë në duar ku lexohet “Injoranca vret më shumë se Covid”, e reja që studion në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja tregon se do të bojkotojë mësimin dhe pret kthimin në auditore.

Në protestën e studentëve ndodhet edhe Marash Loku, juristi i organizatës jofitimprurëse “Qëndresa Qytetare”. Për Lokun është një problem i madh që Ministria e Arsimit deklaroi në datën 29 shtator që do të vijojë mësimi në auditore dhe më pas dy ditë përpara ndërrohet çdo gjë. Sipas tij ky vendim është një tregues i nivelit të lartë të papërgjegjshmërisë.
Loku i tha Gazetës “Si” se një tjetër problem është se nuk ka një platformë, që të jetë e unifikuar por ka platforma eksperimentale.
“Është një eksperiment që po bëhet me studimet dhe studentët nuk kanë pasur një informim paraprak se si do të jetë platforma si do të realizohet platforma, cilat do të jenë kredencialet e tyre. Sidomos për studentët e vitit të parë e kanë të paqartë se si do të zhvillohet viti akademik dhe nuk e dinë strukturën e çdo universiteti, si funksionojnë seminaret dhe leksionet,”shpjegoi Loku.
Gjithashtu, Ardisi një student në Fakultetin Ekonomik tregon se mësimi online ka qenë i dështuar dhe do jetë i dështuar me një sërë problemesh, duke nisur që nga mos prezenca e pedagogëve.
“Kjo është fillimisht, për të mos folur pastaj për tarifat që i kemi paguar dhe nuk do t’i marrim mbrapsht. Nuk kemi pse të paguajmë tarifën e plotë kur nuk jemi në auditorë, kur na duhen për internetin e për librat më shumë se sa për të ardhur në shkollë. Unë jetoj në shtëpi me qira dhe kam paguar edhe qiranë edhe faturën e ujit dhe të dritave dhe nuk më kthehen mbrapsht, ndërkohë që unë nuk kam çfarë të bëj në Tiranë kur nuk kam mësim. Ne do të detyrohemi të lëmë edhe shtëpi tani, kur të kthehemi do detyrohemi të gjejmë shtëpi të tjera, që ti paguajmë kot,” i tha Gazetës “Si” Ardisi tepër i revoltuar.

Në mesin e studentëve ndodhet edhe Femiu, i cili është sëbashku me fëmijët e tij në protestë. Ai i tha Gazetës “Si” që ka paguar tre ditë më parë për qiranë për dy fëmijët e tij dhe sot po përballen me një gjendje ku nuk dinë se çfarë të bëjnë.
“Vajzën e kam në vit të parë për Gjuhë Angleze, nuk dimë ku të shkojmë dhe si do ta vazhdojë mësimin në këto kushte. Nuk mund ta lë tani edhe të iki pa ditur se çfarë do të bëjë fëmija im. Paratë na ikën dëm për atë u pa puna, por nuk dimë si do vejë më vonë. Mirë djali që ka një orientim e i njeh mësuesit, por për këtë, që është në vit të parë ky është problem tepër i madh,” shtoi Femiu.

Protesta e studentëve e pati zanafillën nga vendimi i ditëve të fundit për të kryer mësimin online. Pas kësaj studentët kanë reaguar edhe në rrjete sociale duke diskutuar për ankesat dhe problemet e tyre. Disa prej tyre gjenden për të disatën herë përballë Ministrisë së Arsimit dhe tregojnë se do të jenë gjithnjë aty për vendime të tilla që sipas tyre janë të padrejta për ta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë