Nga Gazeta Si- Një hetim i publikuar nga tabloidi britanik The Sun pretendon se grupe të organizuara shqiptare po përdorin jahte luksoze për të transportuar emigrantë ilegalë nga Europa drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke kërkuar deri në 15,500 paund në para cash për një vend në bord.
Sipas investigimit, trafikantët reklamojnë udhëtimet përmes rrjeteve sociale, kryesisht në TikTok, duke premtuar një kalim të shpejtë, të sigurt dhe më pak të dyshimtë se ai me gomone.
Gazetarët e infiltruar u paraqitën si shqiptarë të dëbuar më parë nga Britania pas vuajtjes së dënimit me burg. Pasi fituan besimin e organizatorëve, komunikimi u zhvendos në ËhatsApp, ku u ofrua një vend në një jaht që nisej nga Holanda dhe mbërrinte pranë Doverit.
Sipas bisedave të publikuara, trafikantët pretendonin se në bord udhëtonin jo më shumë se dhjetë persona, ndërsa jahti dispononte kabina luksoze. Pagesa kërkohej të bëhej vetëm në Shqipëri dhe në para në dorë.
Ata deklaronin gjithashtu se kishin transportuar me sukses emigrantë të tjerë vetëm pak ditë më parë dhe se shumë prej tyre kishin qenë të dëbuar më parë nga Britania.
Hetimi ngre shqetësimin se përdorimi i jahteve mund të jetë një mënyrë për të shmangur kontrollet më të rrepta që kryhen në portet e mëdha, pasi mjetet luksoze zakonisht tërheqin më pak vëmendje dhe ankorohen në marina më të vogla.
Artikulli lidhet edhe me të dhëna të publikuara më parë nga The Sun, sipas të cilave mijëra persona të dëbuar nga Mbretëria e Bashkuar kanë hyrë sërish ilegalisht në vend gjatë pesë viteve të fundit. Tabloidi pretendon se shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të rasteve të rikthimit pas dëbimit.
Në reagimin e saj, platforma TikTok mbylli llogarinë e raportuar nga gazetarët, duke deklaruar se ajo shkelte rregullat kundër trafikimit të qenieve njerëzore. The Sun njoftoi gjithashtu se materialet e mbledhura do t’ia dorëzojë Agjencisë Kombëtare Britanike kundër Krimit (NCA) për hetime të mëtejshme.
Artikulli përmend edhe disa raste të fundit ku autoritetet britanike kanë arrestuar persona të dyshuar për kontrabandë emigrantësh me jahte, përfshirë ekuipazhe britanike, shqiptare dhe ukrainase, duke argumentuar se kjo metodë po përdoret gjithnjë e më shpesh nga rrjetet kriminale.
Shkrimi trajton aktivitetin e disa grupeve kriminale shqiptare në Britani, duke përmendur organizata të njohura nga autoritetet britanike, si edhe raste të trafikimit të drogës dhe pastrimit të parave.
Artikulli sugjeron se fitimet nga aktivitetet kriminale kanë financuar investime të mëdha në Shqipëri dhe se disa drejtues të këtyre rrjeteve dyshohet se jetojnë jashtë vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje