Ngjarje

Jo 14 por 16 vjeç / Kërkohet rritja e moshës për raportet seksuale dhe e dënimit të abuzuesve. Propozimet e reja për ndryshimin e Kodit Penal

Nga Gazeta Si- Pas ngjarjeve të njëpasnjëshme të bëra publike në një muaj, ku vajza të mitura ishin dhunuar seksualisht nga persona të rritur, në Kuvend janë dorëzuar propozime për ndryshime në kodin penal për mbrojtjen e fëmijëve nga krimet seksuale.

Kështu, kërkohet që neni 100 të ndryshohet duke rritur moshën e marrëdhënieve seksuale të lejuar nga 14 vjeç në 16 vjeç dhe gjithashtu kërkohet edhe që të rritet dënimi minimal nga 7 vite në 10 vite.

Neni 100 kërkohet të ndryshohet si më poshtë:

Marrëdhënia seksuale me fëmijë nën moshën e marrëdhënies seksuale

Kryerja e veprimeve apo marrëdhënies seksuale me fëmijën, që nuk ka mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, me çdo mjet ose formë, nga i rrituri, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Kur veprimet ose marrëdhënia seksuale kryhet me dhunë, me çdo mjet ose formë, nga personi që nuk ka mbushur moshën e përgjegjësisë penale dënohet me burgim jo më pak se katër vjet.

Kur veprimet ose marrëdhënia seksuale kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, me më shumë se një fëmijë, ose kur i janë shkaktuar fëmijës së dëmtuar pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se njëzet e pesë vjet.

Kur vepra ka sjellë si pasojë zhdukjen, vetëvrasjen ose vdekjen e fëmijës dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Gjithashtu, kërkohet edhe që të shtohet neni 100/a me përmbajtje si më poshtë:

Neni 100/a

Shtytja e fëmijës për të kryer veprime me natyrë seksuale për një të rritur (grooming)

Nxitja, joshja, shtytja, mashtrimi ose manipulimi i fëmijës nën gjashtëmbëdhjetë vjeç, nga i rrituri, me çdo mjet ose formë, për të kryer veprime ose marrëdhënie seksuale, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga shtatë deri në dhjetë vjet.

Kur këto veprime kryhen nga personi që ka mbushur moshën e përgjegjësisë penale, me çdo mjet ose formë, dënohet me burgim jo me pak se tre vjet.

Kur këto veprime kryhen në bashkëpunim, nga persona që kanë mbushur moshën e përgjegjësisë penale, më shumë se një herë, me një fëmijë më shumë fëmijë, ose kur i janë shkaktuar fëmijës së dëmtuar pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vetëvrasjen e fëmijës dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

Të shtohet neni 100/b me përmbajtje si më poshtë:

Neni 100/b

Komunikimi me fëmijën me mesazhe për qëllime seksuale (Sexting)

Komunikimi me fëmijën nën gjashtëmbëdhjetë vjeç, me mesazhe, foto apo video, me çdo mjet ose formë, që kanë qëllime ose natyrë seksuale, nga personi që ka mbushur moshën e përgjegjësisë penale, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 3 vjet.

Ndërkohë, edhe neni 101 kërkohet që të ndryshohet, duke u rritur moshën nga 14 vjeç në 16 vjeç.

Kryerja e veprimeve apo marrëdhënies seksuale me të miturin mbi gjashtëmbëdhjetë dhe nën tetëmbëdhjetë vjeç, me çdo mjet ose formë, nga i rrituri, dënohet me burgim nga 3 deri në pesë vjet.

Kryerja e veprimeve ose marrëdhënieve seksuale me dhunë, me çdo mjet ose formë, me të miturin e moshës mbi gjashtëmbëdhjetë dhe nën tetëmbëdhjetë vjeç, nga personi që ka mbushur moshën e përgjegjësisë penale, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Kur veprimet apo marrëdhënia kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, me më shumë se një fëmijë ose person që nuk ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, ose kur personit të dëmtuar i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 117, që deri më tani përfshinte vetëm pornografinë me të mitur, në propozimet e reja kërkohet që të ndryshohet duke përfshirë edhe shfrytëzimin seksual nga regjistrimet me figurë, imazh dhe me zë si dhe për çdo shkelje është kërkuar që të shtohen vitet e dënimit.

Mbajtja, prodhimi, shfaqja, lejimi, ofrimi, shpërndarja, transmetimi, reklamimi, importimi, shitja apo botimi i materialeve pornografike në mjedise ku ka fëmijë nën moshën 18 vjeç, me çdo mjet ose formë, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në shtatë vjet. Deri më tani një vepër e tillë është dënuar me vetëm 2 vite.

Mbajtja, prodhimi, riprodhimi, regjistrimi, importimi, shitja, ofrimi, shpërndarja, transmetimi, shfaqja, shkëmbimi ose përdorimi i materialeve me përmbajtje të dhunës apo marrëdhënies seksuale me fëmijë ose ndërmjet fëmijëve nën moshën 18 vjeç, me çdo mjet ose formë, nga personi që ka mbushur moshën e përgjegjësisë penale, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Rekrutimi, shtrëngimi, nxitja, joshja, manipulimi, kërcënimi, detyrimi, dhunimi ose përdorimi i fëmijës nën moshën 18 vjeç, për të marrë pjesë në veprime ose shfaqje me natyrë seksuale, me çdo mjet ose formë, dënohet me burgim nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Përdorimi i imazhit të fëmijës, të vërtetë ose të gjeneruar nga teknologjia, ku fëmija angazhohet në veprime ose marrëdhënie seksuale, për prodhim, riprodhim, shpërndarje, reklamim, transmetim, shkëmbim, shfaqje, mbajtje, përdorim personal, shitje ose botim, me çdo mjet ose formë, përbën vepër penale dhe dënohen me burgim nga tre deri në pesë vjet.

Në propozim është hedhur në diskutim nëse duhet që të përjashtohen nga përgjegjësia penale vetëm personat dhe subjektet që, në bazë të ligjit dhe me autorizim nga Policia e Shtetit, punojnë apo angazhohen në mbrojtje të fëmijës nga dhuna seksuale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë