Njerez

Jim Belushit, një dokumentar për kanabisin me ftesë të Ramës. A do të hapë një fermë në Shqipëri?

Nga Gazeta Si - Aktori hollivudian me origjinë shqiptare, Jim Belushi, prej 10 ditësh ndodhet në Shqipëri për të xhiruar një dokumentar ku në qendër ka kultivimin e kanabisit dhe përdorimin e tij në mjekësi.

Aktori i mirënjohur ka pranuar në një konferencë për shtyp se në vendin e origjinës ka ardhur me ftesë të kryeministrit Edi Rama, në një kohë kur në Shqipëri ende po diskutohet legalizimi i bimës.

"Unë po bëj një program me gjashtë pjesë. E kam filluar me fermën time në Oregon, kam filmuar në Çikago etj dhe pastaj më vjen një telefonatë nga Kryeministri Rama që të vij dhe të diskutoj mundësitë e legalizimit të eksportit të kanabisit. Legalizimi i kanabisit nënkupton shkatërrimin e krimit të organizuar. Kjo është ajo që unë promovoj edhe në emisionin tim”, tha Jim Belushi.

Pyetjes nëse ai do të investonte në Shqipëri, Belushi i përgjigjet kështu: “Po flasim për kanabisin si bimë medicinale. Shpresoj që do të ketë një përfitim që do të mund tatohet dhe të ndihmojë qeverinë. Nëse në Shqipëri do të legalizohet, pse jo do të vij të investoj”.

Belushi tregon edhe përshtypjet që ka marrë nga vendi i tij i origjinës, Devolli, që do të jetë pjesë e këtij dokumentari.

“Është ai fshati mistik aq i bukur prej nga vjen babai im, familja e nënës sime. Përjetova shumë emocione të fuqishme dhe ende jam duke përpunuar në kokën time atë që përjetova aty”, tha Belushi.

Duke udhëtuar nëpër Shqipëri jo vetëm si aktor, por edhe si një fermer, Belushi është ndalur dhe në vendet që i duken më të përshtatshme për kultivimin e kanabisit.

Një nga ndalesat e tij ishte Lazarati, të cilin artisti e cilësoi si vendin e duhur.

“Keni një klimë fantastike me rreth 300 ditë me diell. E përshtatshme për t’u xhiruar filma, ashtu si edhe për të rritur kanabis. Ne e dimë që Lazarati është kriminalizuar. Njerëzit aty në fakt janë njerëz që merren me bujqësi, ata e rrisin dhe kujdesen për këtë bimë me shumë pasion. Ne e identifikuam dhe konstatuam se ajo zonë është zona më e veçantë për ta rritur këtë bimë pasi ka të bëjë me pehashin e vetë tokës dhe me ujin. Po ashtu ata kanë njerëz shumë të aftë që kanë shumë njohuri për ta rritur atë bime. Kjo është një fushë tjetër ku kanabisi mund të shfaqët dhe mund të realizohet legalizimi i kanabisit dhe të eksportohet pastaj. Ne kemi kuptuar që në këtë zonë mund të ishte më e mira të kultivohej kjo bimë".

Prej shumë vitesh, aktori tashmë njihet edhe si fermer pasi Jim Belushi pas legalizimit të hashashit në Oregon, e kultivon atë për qëllime mjekësore.

Belushi është drejt përfundimit të dokumentarit për Shqipërinë, i cili do të transmetohet në një nga kanalet më të njohura, “Discover Channel”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë