Njerez

“Jep një shishe plastike dhe merr një libër”

Një shkrimtar në Italinë jugore ofron libra falas për nxënësit e shkollave që i sjellin atij një shishe plastike që mund të riciklohet.
Michele Gentile, i cili ka një bar në një qyteze të vogël pranë Salernos dëshiron që të inkurajojë fëmijët të lexojnë, por edhe të mbrojnë mjedisin.
"Qëllimi im është të përhapim pasionin dhe dashurinë për librat tek njerëzit e vendit tonë, por njëkohësisht pse të mos shpëtojmë mjedisin nga mbetjet. Shpresoj që iniciativa ime të bëhet aq virale sa që të prekë të gjithë vendin. Do të jetë një revolucion jo vetëm për planetin, por edhe për edukimin e fëmijëve,” tha ai.
Gjatë gjithë kohës Gentile ka zhvilluar mënyra të ndryshme për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Një herë ai krijoi një mini fushatë në kafenenë e tij, për çdo klient që vinte ai i kërkonte të paguante edhe një kafe më tepër për njerëzit në nevojë. Ndërsa një herë tjetër, krijoi fushatën e librave të “pezulluar”, që do të thoshte se nëse një klient blinte një libër “të pezulluar”, paratë do të shkonin për bamirësi.
Gentile shprehet se ideja për iniciativën e riciklimit të plastikës i erdhi ndërsa ai po vështronte një grumbull të madh mbeturinash metalike të hedhura në një fushë.
" Ato mbetje vlejnë të paktën 300-400 euro (338-451 dollarë), të mjaftueshme për të paguar shkollën e mesme për një adoleshent. Kështu që unë bisedova me drejtoreshën e një shkolle të mesme dhe nëpërmjet propagandës organizuan një koleksion alumini. Rezultatet ishin të jashtëzakonshme, për dy ditë u mblodhën rreth 2 kuintal të cilat kushtuan 564 euro,” shprehet ai.

Me paratë që ai mori nga qendra e riciklimit të aluminit, Gentile bleu libra për një klasë të tërë.
"Në atë moment mendova pse të mos ringrija një tjetër fushatë, por këtë herë me mbetje plastike, pasi në vendin tonë janë të kudogjendura. Fushatën e quajta “Jep një shishe plastike dhe merr një libër” tha ai.
Iniciativa e përfshiu shumë shkolla në të gjithë Italinë. Fushata ishte shumë tërheqëse për fëmijët dhe tashmë Gentile ka blerë dyfishin e librave që kishte në kafene.
Për dy ditë kam dhënë 60 libra. Mendoni nëse kjo fushatë kthehet si një lojë e vogël, çdo fëmijë në botë do të shpëtojë mjedisin nga mbetjet plastike dhe si shpërblim do të marrë një libër. E di që është vetëm një ëndërr për momentin por pse të mos e bëjmë realitet?” shprehet ai. /CNN/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë