Lajme

Jep dorëheqjen zv.ministri i Arsimit, Ervin Demo

Zv. ministri i Arsimit, Ervin Demo, ka dhënë sot dorëheqjen nga detyra. Gjatë 10 ditëve të fundit në median online është shkruar se ai ka vjedhur punimin shkencor. Pas kritikave të ashpra ndaj tij për plagjiaturë, Demo sot vendosi të largohet nga dikasteri i arsimit dhe lajmin e ka bërë vetë të ditur përmes një statusi në “Facebook”.

Ai shprehet se është bërë shënjestër e baltës dhe se i takon atij të vendosë interesat e kabinetit qeveritar mbi interesin personal.

“Sot kam ofruar dorëheqjen si zëvendësministër dhe mbetem i përkushtuar në vijimin e përpjekjes sonë të përbashkët, si qytetarë e si veprimtarë të Partisë Socialiste. Çdo argumentim nga ana ime kundër baltosjes në pozicionin që jam sot, do të paragjykohej vetiu dhe do linte vend për keqinterpretime, nëse unë do të mbetesha në pozicionin tim”, shkruan Demo.

Ai gjithashtu shprehet se tanimë do të jetë në dispozicion të veprimtarisë politike mes njerëzve të zakonshëm.

“Për mua ka qenë një privilegj të kem qenë pjesë e kabinetit Rama. Tanimë do të jem i tëri në dispozicion të veprimtarisë sime politike mes njerëzve të zakonshëm. Shumë faleminderit dhe mirënjohje e respekt të gjithë kolegëve të kabinetit”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë