Biznes

“Javën tjetër protestë, qëndrojmë hapur. Dëmshpërblim në gjykatë”

Ani, kamarier tek Trinity, një bar i këndshëm në anë rruge më thotë se ditën e shtunë i çelën dyert e barit që në 6 e 30 të mëngjesit, po u erdhi policia dhe u detyruan ta mbyllnin menjëherë dhe të qendronin pushim gjithë fundjavën, siç kishte njoftuar në mënyrë të beftë kryeministri Edi Rama dhe Ministria e Shëndetësisë në orët e vona të mbrëmjes së të premtes.

“E mbyllëm se kishim frikë nga gjoba. Sapo kemi nisur me gjithë humbjet e mundshme, nuk na duhet gjoba në këto momente. Ata që kanë qendruar hapur, kanë qenë bare dhe restorante jo në rrugë kryesore ose kanë dhënë para. Ne nuk kemi mundësi të paguajmë, sepse ata janë shumë, nuk është vetëm një polic”- thotë Ani. Nuk duket as i indinjuar, as me nerv.

Është i ndërgjegjshëm që është padrejtësi, por bashkëjeton me të dhe ngre supet se “nuk kemi çfarë të bëjmë”.

“Edhe këtë fundjavë do të jemi mbyllur, sipas njoftimit”- thotë ai dhe ul sytë përdhe duke pastruar një tavolinë ku sapo ishin larguar dy klientë.

I pyetur për situatën, kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahaj, shpjegon se një bar normal, që ka 12 punonjës dhe një qira mujore 2 mijë deri në 3 mijë euro, një ditë bllokim aktiviteti i kushton 1500 euro.

Enri Jahaj, kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve

“Por ne jemi të bllokuar nga ligji i fatkeqësisë natyrore. Përderisa qeveria ka vendosur me ligj Fatkeqësinë Natyrore deri në fund të qershorit, nuk kemi çfarë  bëjmë. I kemi menduar të gjitha. Mund të qendrojmë hapur në shenjë proteste fundjavën e ardhshme, me çeljen e gjykatave mund të  padisim qeverinë si shkaktare e humbjeve tona dhe ti kërkojmë dëmshpërblim. Kjo është e gjitha për tu parë. Janë variante që qendrojnë të gjitha dhe po i diskutojmë dhe do të dalim me një vendim” – sqaron Jahaj.

Ai shprehet se kjo fundjavë që shkoi ishte një luftë nervash.

Sapo nisëm një lloj normaliteti të ri duke pretenduar të kapnim një lloj ritmi, thotë ai, u këput filli, i cili nisi sot, të hënën duke menduar që do rikëputet të shtunën.

“Ne po grabitemi”- deklaron Enri Jahaj.

Kurse Gjergj Buxhuku nga Konfindustria thotë se vendi duhet ti ishte kthyer me kohë normalitetit të plotë.

Vlerësimet e Konfindustrisë për faturë financiare të dëmeve ndaj ekonomisë kombëtare të shkaktuara sipas saj drejtpërdrejtë nga menaxhimi joprofesional i krizës së Covid 19 nga ekzekutivi, llogaritet të jetë e rendit të 350-400 milion $ vetëm për muajt mars dhe prill 2020.

Gjergj Buxhuku, Konfindustria

“Konfindustria në analizën e mësipërme ekonometrike ka vlerësuar në mënyrë krahësimore menaxhimin e krizës nga vende të Rajonit si Bullgaria, Kroacia dhe Greqia, që kanë patur rezultate shëndetësore më të mira dhe/ose të ngjashme me Shqipërinë. Analiza tregon, se masat shtrënguese kundër Covid 19 në Shqipëri kanë qene mjaft të ashpra dhe tërësisht jopërpjestimore me rrezikun shëndetësor, duke sjellë në mënyrë të paarsyeshme rëndëimin e faturës financiare me afër 400 milion $ humbje të biznesit, qytetarëve dhe buxhetit të shtetit. Me një menaxhim më të përgjegjshëm dhe profesional fatura në fjalë ishte lehtësisht e shmangshme.”- thotë Buxhuku për gazetën “Si”.

Sipas tij, humbjet e përllogaritura të ekonomisë formale për muajit mars, prill 2020 llogariten në 1,2 miliard $ dhe duke patur patur parasysh edhe pjesën joformale humbjet tërësore e tejkalojnë shumën e 2 miliard $.

Për Buxhukun duhet kaluar në normalizim të plotë urgjent!!

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë