Futboll

Java e tretë e Superiores, Dinamo sfidon Teutën kampione në …Rrogozhinë

Abissnet Superiore nis sot javën e tretë me dy ndeshjet Teuta-Dinamo dhe Kastrioti-Tirana, për të vazhduar nesër me Partizani-Vllaznia dhe për t’u mbyllur të hënën me Laçi-Kukësi dhe Egnatia-Skënderbeu. Pesë ndeshje të shtrira në tri ditë për shkak të problemeve me fushat. Nga 5 skuadrat pritëse të kësaj jave, vetëm Egnatia do të luajë në shtëpinë e saj, të tjerët jaë të detyruat të shtegtojnë.

Teuta kampione në fuqi ka zgjedhur stadiumin e Rrogozhinës për të pritur sot Dinamon. Është një ndeshje që pritet të tregojë shumë për të dyja skuadrat, që kanë marrë nga 4 pikë në 2 javët e para, me nga 1 fitore dhe 1 barazim. Durrasakët kanë si objektiv të mbrojnë titullin dhe barazimi në fushën e një rivali direkt si Vllaznia ka treguar se skuadra e drejtuar nga trajneri Martini e ka këtë potencial.

Teuta feston nje gol ne ndeshjen e kupes. Gazeta Si, 25 shtator 2021

Në anën tjetër, Dinamo është rikthyer në Superiore me ambicie, së paku për të zënë një vend në kupat e Europës. Dhe për ta bërë këtë duhet të marrë pikë edhe ndaj skuadrave më të forta të kampionatit. Trajneri Shkëmbi përballet me skuadrën ku ka luajtur më parë, ndërkohë që edhe e ka drejtuar si trajner, ndaj dhe e njeh shumë mirë. Sot ai e ka grupin të plotë, ndërsa kolegu i tij Martini ka disa mungesa, ku veçohen Todorovski dhe Lorenco Vila.

Edhe Kastrioti do ta presë Tiranën në fushë asnjanëse, në stadiumin e Kamzës, çka favorizon kryeqytetasit. Tirana vjen pas hapit fals me Egnatian në shtëpi dhe nuk i falet një tjetër gabim ndaj ekipit që në dy javët e para të kampionatit ka pësuar dy humbje. Renditja e Superiores kryesohet nga Kukësi me 6 pikë.

Abissnet Superiore, java e tretë
Sot
Teuta-Dinamo
Kastrioti-Tirana
Të dielën
Partizani-Vllaznia
Të hënën
Laçi-Kastrioti
Egnatia-Skënderbeu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë