Futboll

Java e 25 në Superiore, sfidat direkte të BIG4 

Mes të shtunës dhe të dielës do të zhvillohet një ndër javët më interesante të Kategorisë Superiore këtë sezon. BIG4 do të përballen me njëra-tjetrën në sfida që do të përcaktojnë shumë për vendosjen mes tyre. Në të njëjtën kohë, 6 skuadrat e tjera do të luajnë për qëndrim mes më të mirëve. Një luftë e cila mesa duket po tërheq brenda vetes edhe skuadrën AF Elbasani që nuk ishte në gjendje të ndiqte ritmin e katër të parave. Java e 25 do të ndahet mes të shtunës dhe të dielës.

Tre ndeshjet e nesërme do të luhen mes orës 13:30 dhe 16:30. Egnatia dhe Partizani do të ngrenë siparin me një objektiv të vetëm. Tre pikët që do të shërbenin për të “vrarë” ndjekësit në rastin e kampionëve në fuqi dhe për të reduktuar diferencën në rastin e kryeqytetasve. Partizani vjen pas disa rezultatesh zhgënjyese që kanë shoqëruar merkaton dimërore që më shumë e dëmtoi “bandën” e Veselinovic.

Paralelisht do të zhvillohet në Ballsh sfida Bylis-AF Elbasani. Vendasit atje kanë ulur Mezanin në stol dhe traineri vlonjat beson se mallakastriotët kanë gjithcka duhet për të qëndruar mes më të mirëve. E shtuna përfundon në kryeqytet ku blutë e Dajës presin Vllazninë nga e cila i ndajnë vetëm 3 pikë. Një fitore që Dinamo City po e kërkon prej javësh do të ekuilibronte klasifikimin me kuqeblutë e Brdaric që besojnë se janë në sezonin e duhur për titull.

Të dielën do të zhvillohen dy takimet e mbijetesës në Lac dhe Elbasan. Vendasit e Morieros kërkojnë fitoren e dytë rradhazi pas asaj ndaj Skënderbeut. Ndërsa Devolli dhe durrsakët kërkojnë mesin e artë që do arrihej vetëm në rast fitoreje. Pa shtëpi prej javësh, bardheblutë shtegtojnë në “Elbasan Arena” ku shpresojnë të evitojnë një hap fals që do ti bënte të preknin fundin. Të tronditur në shtëpi nga Laci, bardhekuqtë e Skënderbeut vështirë se mund të pranojnë një humbje tjetër. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë