Futboll

Jashtokësori Haland shënon çdo 68 minuta, Guardiola synon një ‘Treble’ historik

Gazeta Si - Mançester Siti drejt ‘Treble’, Haland shënon si askush më parë në Premier Ligë (të paktën ajo me 20 skuadra). Në rrugën që të çon te lavdia, Pep Guardiola ka edhe 7 ndeshje në kampionat (i dyti pas Arsenalit, por me 2 ndeshje më pak), sfidën e dyfishtë në gjysmëfinale të Championsit me Real Madrid (dhe finalen e mundshme) dhe finalen e ‘Fa Cup’ ndaj kushërinjve të Mançester Junajtid, i vetmi klub në Angli deri tani që ka fituar ‘Tripletën’, apo ‘Treble’.

Ky sezon që mund të shkruajë historinë triumfuese, falë atij që po regjiostron statistika stratosferike. Atje ku deri një vit më parë Guardiola shikonte një hapësirë që duhej mbushur, sot ka qendërsulmuesin që ndeshje pas ndeshjeje po shkruan librin e rekordeve në Premier.

Sulmuesi norvegjez i Mançester Sitit, Erling Haland. Gazeta Si, 27 prill 2023

Me golin e 4-1 të shënuar në shtesë ndaj Arsenalit, Erling Braut Haland u ngjit në kuotën e 33 golave në kampionat, duke fshirë rekordin e Mohamed Salah, që në sezonin 2017-18 realizoi 32 gola me Liverpulin. Andrju Kol dhe Alan Shirer shënuan të dy nga 34 gola në sezonit 1993-94 dhe 1994-95, por në një kampioonat me 22 skuadra.

Norvegjezi ka edhe 7 ndeshje për të thelluar rekordin. Kjo vetëm për Premier Ligën. Numrat e sulmuesit të Sitit janë kudo të jashtëzakonshëm: 33 golave të përmendur më sipër (plus 7 asiste), u shtohen 3 gola në 3 ndeshje të ‘Fa Cup’, 12 në 8 ndeshje Championsi dhe 1 ndaj Liverpulit në Kupën e Ligës. Në total 49 gola në 43 ndeshje, 1 gol çdo 68 minuta. I pakapshëm Siti, i pamarkueshëm Haland.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë