Lajme

Japonia me “hallet” e Kosovës! Ish-Kryeministri: Të ngremë ushtrinë

Japonia kapitulloi pa kushte në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe në vitin 1947 iu desh të pranonte si ligj themeltar një Kushtetutë që i ndalonte ushtrinë dhe tejkalimin e 1 për qind të GDP-së për shpenzime ushtarake.

Që prej asaj kohe gjërat kanë ndryshuar shumë. “De Facto” Japonia ka ushtrinë e saj, por quhet “Trupa Mbrojtëse”, që deri vonë u ndalohej me ligj pjesëmarrja në misione ushtarake të huaja.

E gjitha kjo është falë Amendamentit 9 të Kushtetutës vendase. Ky amendament e cilëson si të paligjshme përdorimin e forcës ushtarake nga ana e Japonisë për zgjidhjen e problemeve që mund të ketë me vendet e tjera.

Pikërisht këtë amendament kërkon që të ndryshohet Yasuhiro Nakasone, në 100-vjetorin e lindjes së tij. Ish-Kryeministri japonez, një nga më jetëgjatët e vendit në krye të detyrës shprehu nevojën e rishikimit të Kushtetutës, pasi siç thotë gjërat kanë ndryshuar.

Nakasone e sheh ndryshimin e Kushtetutës si jetik për të ardhmen e vendit.

“Politikanët duhet ta shqyrtojnë seriozisht këtë çështje, për t’i hapur bashkarisht rrugën drejt të ardhmes vendit tonë”, deklaron ai.

Ndryshimin e Kushtetutës e përkrah edhe kryeministri aktual, Shinzo Abe, por një pjesë e spektrit politik e kundërshtojnë. Në pamundësi për të gjetur akordin për këtë çështje, Qeveria ka shtuar një nen që u lejon trupave mbrojtëse pjesëmarrjen në misione ushtarake në ndihmë të aleatëve, me arsyetimin se “kur aleatët janë në rrezik, Japonia është në rrezik”.

Ky ndryshim u kritikua nga Kina dhe Koreja e Veriut, që e cilësojnë si kthim pas në kohën e politikave agresive ndaj fqinjëve të perandorisë japoneze.

Yasuhiro Nakasone bë i famshëm me deklaratën e lëshuar fill pasi mori detyrën e Kryeministrit, ku shprehu mbështetjen e pakushtëzuar për Shtetet e Bashkuara në betejën për influencë ndaj Bashkimit Sovjetik.

“Nëse do të jetë nevoja, Japonia do të shndërrohet në një aeroplan-mbajtëse që nuk fundoset kurrë për avionët amerikanë”, deklaronte ai në atë kohë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë