Futboll

Jaja Ture sulmon hapur FIFA-n: As që i intereson racizmi

Racizmi është një nga çështjet më delikate të futbollit të sotëm. Është në qendër të vëmendjes dhe FIFA e UEFA paralajmërojnë vazhdimisht masa drastike për ndalimin e këtij fenomeni, por ndryshe mendon ish-futbollisti i Barcelonës dhe Mançester Sitit, Jaja Ture, i cili aktualisht luan në kampionatin kinez me Quingdao Huanghai.

Për temën e racizmit ai ka folur për “L’Èquipe”, ku thekson se nga institucioni që drejton futbollin botëror ka vetëm fjalë, pasi as që i intereson fenomeni. “Mendoj se është një turp i madh. Flitet gjithmonë, bla, bla bla… por çfarë ndodh? Nuk ndryshon asgjë. Njerëzve të FIFA-s nuk u intereson aspak çështja e racizmit në futboll. Vetëm flasin dhe çdo gjë vazhdon si më parë. Jam i indinjuar nga ky fakt, sepse personalisht më bezdis shumë”, - ka thënë mes të tjerash lojtari nga Bregu i Fildishtë.

Jaja Ture. Gazeta Si, 29 tetor 2019

Në fakt, nuk janë marrë masa drastike ndaj këtij fenomeni që prek gjithë futbollin, edhe pse kohët e fundit janë evidentuar disa raste të rënda. Në Itali, për shembull, Dalbert, Lukaku dhe Vieira janë episodet më të fundit. Një iniciativë ndryshe ishte ajo e futbollistëve të kombëtares angleze, të cilët vendosën para ndeshjes eliminatore em Bullgarinë se në korin e parë racist do të linin fushën. Dhe ashtu bënë në dy momente të ndeshjes. FIFA vazhdon të “predikojë” luftë të ashpër ndaj sjelljeve raciste në stadiume, por, siç pohon edhe Jaja Ture, nuk ka masa drastike për çrrënjosjen e këtij fenomeni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë