Bota

Operacionet tokësore në Gazë, banorët pa akses në internet! OKB kërkon armëpushim humanitar

Nga Gazeta 'Si'-Forcat ajrore dhe tokësore izraelite zgjeruan sulmet e tyre ndaj Hamasit në Rripin e Gazës mbrëmjen e kaluar (27 tetor) njoftoi ushtria izraelite, dhe grupi militant palestinez konfirmoi se luftëtarët e tij po shkëmbenin zjarr me forcat izraelite në disa vendndodhje përgjatë kufirit me Izraelin, përfshirë në Bureij.

Të pyetur rreth këtyre njoftimeve, përfaqësuesit e ushtrisë izraelite thanë se po bëhen operacione të caktuara dhe janë zgjeruar sulmet me qëllim “përgatitjen e terrenit për fazat e ardhshme operacionale”.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë të hartuar nga vendet arabe ku bëhet thirrje për vendosjen e menjëhershme të armëpushimit humanitar dhe kërkohet qasje për organizatat e ndihmave në territorin e rrethuar, si dhe mbrojtja për civilët.

Megjithëse nuk është e detyrueshme, rezoluta ka peshë politike dhe reflekton perceptimin global. Ajo u miratua mes duartrokitjeve, me 120 vota pro, 45 abstenime dhe 14 kundër – ndër to edhe Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.

Në rezolutë nuk u përfshi një amendament i propozuar nga Kanadaja për të dënuar pa mëdyshje “sulmet terroriste” nga Hamasi dhe për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të pengjeve të marra nga grupi militant.

Banorët e Gazës janë pa akses në internet dhe në shërbime tjera telefonike, pas rritjes së shkallës së bombardimeve izraelite në mbrëmjen e së premtes.

Mbi 2.3 milionë banorë të Gazës kanë mbetur pa asnjë linjë kontakti me pjesën tjetër të botës, teksa ushtria izraelite ka thënë se është duke e “zgjeruar” operacionin tokësor në këtë enklavë të rrethuar.

Në deklarimin e së premtes, ushtria izraelite u ka bërë sërish thirrje banorëve të qytetit të Gazës që të shpërngulen në jug. Shpërthimet e fuqishme në Rripin e Gazës janë parë prej distancës, ka raportuar Associated Press.

Banorët e Gazës janë prej disa javësh pa furnizime me ushqim, ujë dhe energji elektrike, por tani kanë mbetur në izolim të plotë. Ofruesi palestinez i telekomunikimeve në Gazë, Palte, ka thënë se zona është pa asnjë shërbim për shkak të bombardimeve.

Ende nuk dihet nëse ka viktima nga sulmet e reja ajrore, për shkak të izolimit të zonës. Kryqi i Kuq ka thënë se nuk ka mundur të kontaktojë me ekipet mjekësore dhe banorët nuk mund të thërrasin ambulancën, çka nënkupton se ekipet do të duhet t’i ndjekin shpërthimet, për t’i identifikuar të plagosur nga sulmet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë