Bota

Izraeli liron 2 pengje në një operacion special, Hamasi: 100 të vdekur nga bombat në Rafah

Gazeta Si - Izraeli ka nisur ofensivën ushtarake ndaj Rafahut, qytetit në jug të Gazës ku strehohen 1.5 milionë banorë.

Gjatë operacionit ushtarak, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë shpëtuar 2 pengje izraelitë që ishin rrëmbyer nga Hamasi në sulmin fillestar të disa muajve më parë.

Fernando Simon Marman 60 vjeç dhe Louis Har 70 vjeç u shpëtuan gjatë një aksioni të koordinuar midis disa agjencive ligjzbatuese të Izraelit dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ata mbaheshin peng në një ndërtesë në katin e dytë në Rafah.

Të dy ishin rrëmbyer nga Kibbutz Nir Yitzhak në mëngjesin e 7 tetorit. Dhëndri i Louis Har u tha gazetarëve se ai dhe gruaja e tij ishin në gjendje t'i shihnin dy burrat në spital: ata ishin "të dobët dhe të zbehtë", tha ai, por "mund të komunikonin mirë dhe ishin të vetëdijshëm.

Ushtria e Izraelit ka kryer bombardime të rënda ajrore në Rafah, pavarësisht paralajmërimeve të ndërkombëtare për të bërë kujdes me këtë ofensivë, pasi aty strehohen 1.5 milionë banorë që janë larguar nga qytetet e tjera të Gazës për shkak të luftës.

Por kryeministri izraelit ka shprehur më herët vendosmërinë për të spastruar gjithë Rripin e Gazës nga Hamasi. Rafah është qytet në kufi me Egjiptin, e vetmja pikë e hapur hyrëse në Gaza për ndihmat humanitare.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi, numri i të vdekurve në sulmet izraelite në Rafah, në Rripin jugor të Gazës, është rritur në mbi 100.

Lëvizja e Rezistencës Islamike tha se ishte "një vazhdimësi e luftës gjenocidale në vazhdim". Hamasi nënvizoi gjithashtu se administrata amerikane dhe presidenti Joe Biden personalisht mbajnë përgjegjësi të plotë për atë që ndodhi, sepse ata dhanë "dritën jeshile".

Hamasi i bëri thirrje Lidhjes së Shteteve Arabe, Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe Këshillit të Sigurimit që të veprojnë urgjentisht për të ndaluar agresionin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë